Pas 9 lojtarëve të ardhur deri më tani, merkatoja e Vllaznisë pritet të mbyllet me dy lojtarë të tjerë. Këta të fundit mendohet të jenë në stërvitje me ekipin ditën e mërkurë dhe sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për dy lojtarë brazilianë. Njëri prej tyre luan si sulmues ndërsa tjetri mesfushor organizator.

Me këto dy lojtarë kuqeblutë duken të plotësuar tashmë në të gjitha repartet, duke filluar nga porta dhe duke përfunduar tek sulmi. Problemi i vetëm për stafin teknik është gjendja fizike e këtyre lojtarëve që po vijnë së fundi. Disa prej tyre kanë probleme shëndetësore të vogla dhe ndonjë tjetër nuk ka gjendje të mirë fizike dhe prandaj kjo mund ta penalizojë ekipin në ndeshjet e para.

Megjithatë duhet pranuar se tek Vllaznia aktualisht ka optimizëm. Dëshira është e madhe për ta nisur me fitore kampionatin e ri dhe për këtë arsye, do të tentohet gjithçka ditën e shtunë në sfidën ndaj Laçit. Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka caktuar orën 16.00 për startin e këtij takimi dhe pritet që ai të ndiqet me interes nga tifozët shkodranë të cilët duken të etur për të parë ndryshimet tek skuadra e tyre.

Duhet pranuar se kuqeblutë i nisën pak vonë përgatitjet për sezonin e ri por më pas gjithçka u normalizua dhe skuadra për dy javë u stërvit në Ohër, duke zhvilluar njëkohësisht edhe disa ndeshje miqësore. Trajneri Mirsad Jonuz thuajse e ka stabilizuar formacionin megjithatë me lojtarët e rinj që po vijnë, nga java në javë do të ketë ndryshime, gjithmonë në të mirë të skuadrës.
www.shkodrasport.com