Dy humbje radhazi ka pësuar Vllaznia e Futsallës në këtë fillim viti. Që të dyja ia ka shkaktuar Tirana, e cila fillimisht e mundi me rezultatin 11-8 duke e eleminuar nga gjysëmfinalja e Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme e ka mundur edhe për kampionat.
Ndeshja e luajtur në kompleksin sportiv “Goga” të Shijakut ka qënë shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, të cilat janë pretendente për fitimin e titullit kampion. Një fitore e mundshme e Vllaznisë së Futsallës e mbante atë në pozitat e kryesueses së kampionatit, ndërkohë që Tirana me tre pikë më pak sesa Vllaznia kërkonte frenimin e kuqebluve në kryesimin e kampionatit dhe ngjitjen e saj në tabelë.
Ka ndodhur kjo e dyta, ku Tirana Futsallë ka mundur me rezultatin 7-5 Vllaznia Futsall, në një ndeshje tejet luftarake dhe të ekuilibruar. Ndonëse bardheblutë kanë shënuar të parët, ka qënë Vllaznia, e cila me golat Beharit, Lerës, Hasajt dhe Lekiq e mbyllë me fitore pjesën e parë me rezultatin 3-2.
Shumë luftarake zhvillohet edhe pjesa e dytë, dhe është përsëri Vllaznia ajo që dikton në fushën e lojës teksa kryeson me rezultatin 5-3. Por, pikërisht pas këtij rezultati, në skuadrën shkodrane të drejtuar nga trajneri Bujar Celufaj ndikojnë mungesat e lojtarëve kryesorë të formacionit, sidomos ajo e Senad Lekajt i dëmtuar në ndeshjet e fundit.
Duke përfituar edhe nga rënia e ritmit kuqeblu, është Tirana që duke shfrytëzuar minutat e fundit të ndeshjes, jo vetëm arri të barazojë, por edhe të fitojë të gjithë ndeshjen me rezultatin 7 me 5.
Një fitore kjo që stopon Vllazninë si kryesuese dhe rritë Tiranën duke u barazuar me pikë me të, por që me golaverazh më të më të mirë është në vendin e dytë dhe Vllaznia e treta. Nga ana tjetër, përfiton, Flamurtari, që merr kryesimin e kampionatit, pas javës së parë të fazës së dytë./RTSH-SHKODRA/