Opinion nga Senad NIKSHIQI

Vllaznia bën 95 vjeç ! Shkodra hesht ! Të zotët e saj heshtin ! Asnjë organizim ! Asnjë përkujtim ! Asgjë për ti dhuruar kësaj skuadre të madhe të futbollit shqiptar, urimin tradicional: Gëzuar ditëlindjen! Para 95 vitesh Shkodra ishte qyteti që jetësoi lojën mahnitëse të futbollit për tu përhapur më pas në të gjithë Shqipërinë. E sot pas 95 viteve, puna e madhe e 75 personave që krijuan Vllazninë e brezave që pasuan për ta trasheëguar edhe sot duket se nga drejtuesit e klubit nuk vlerësohet. Do të kishte mjaftuar një aktivitet sado modest që veteranëve që sot janë ende gjallë dhe për vite me radhë na dhuruan emocione pafund të nderoheshin duke i thënë të paktën një faleminderit. Falenderim ky që në fakt duhet thënë gjithmonë e sa më shumë që të na jepet mundësia. Aq më tepër në ditë si kjo e sotmja ku Vllaznia ka ditëlindjen e 95-të saj. Sot Shkodra përcolli një ikonë të madhe, ish-çiklistin e trainerin e shquar Ruzhdi Muriqi, çka na bëri të kuptojmë edhe më shumë sa data të tilla nuk duhen anashkaluar për asnjë arsye. Ky përvjetor që u harrua ndoshta e ka një justifikim. Ndryshe nga Vllaznia që ne njohim, nga Vllaznia e madhe e viteve të mëparshme, sot kjo skuadër megjithë lavdinë e madhe që mbart mbi supe rrezikon ndjeshëm rënien nga Superliga, gjë të cilën kanë filluar ta besojnë shumë persona, aq shumë sa në çdo ndeshje shkallët e stadiumit janë thuajse të boshatisura. Një prej tifozërive më të zjarrta, ka braktisur skuadrën e zemrës sepse kjo e fundit nuk i dhuron kënaqësitë e sezoneve të kaluara. Nuk është Vllaznia e tyre kjo që diskuton mbijetesën, ata Vllazninë e njohin atë që luftonte fort në çdo vit për të sjellë në Shkodër trofëtë, Kupën dhe Kampionatin. Nuk është Vllaznia kjo që mundet nga të gjitha ekipet pa asnjë problem, nuk është Vllaznia kjo që nuk di të shënojë gola apo që ka humbur shumë nga loja e saj spektakolare që mahniste një Shqipëri të tërë. Skenari i vitit 1963 kur kuqeblutë do të binin nga Kategoria, duket se është më pranë se kurrë. Të pafuqishëm për të ndërtuar një Vllazni dinjitoze, këtë përvjetor jubile të 95 vjetorit nuk duhej ta harronin. Përkundrazi ndoshta do të shërbente si një shtysë e fortë për ti dhënë ekipit kurajo që të bëjë të pamundurën për të ruajtur dinjitetin e shumë brezave që nga 1919-ta të cilët bënë që Vllaznia të jetë një prej ekipeve më të famshme në vend. Vllaznia është në ditë të vështira e padyshim kjo e sotmja është një ditëlindje e hidhur e saj !