Vllaznia për djem, ashtu siç pritej, është shpallur kampione kombëtare në kampionatin e 18 vjeçarëve të zhvilluar pasditen e sotme. Garat kanë patur shumë rivalitet por në fund kanë triumfuar shkodranët. Kampionati është zhvilluar si zakonisht në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë dhe në të kanë marrë pjesë të gjithë ekipet e vendit me sportistët e tyre më të mirë. Vllaznia ka qenë e kompletuar në të gjitha disiplinat sportive. Trajnerët Vildan Tufi, Albert Marashi, Isak Bala, Fatjon Serhati dhe Dorjan Tafa kanë punuar në mënyrë të shkëlqyer gjatë gjithë kësaj periudhe derisa kanë korrur suksesin sot. Në fund të garave të sotme, Vllaznia ka arritur të grumbullojë 98 pikë duke zënë vendin e parë dhe shpallur kampione për vitin 2013.

Ajo ka lënë në vend të dytë Skënderbeun me 63 pikë ndërsa në vend të tretë është renditur ekipi i Mjeshtrisë Sportive të Durrësit. Por përveçse si ekip, atletët shkodranë kanë dominuar edhe në disa gara individuale. Kështu sportisti Bajram Muça ka triumfuar në garën e 100 metrave teksa ka arritur kohën 11″08 dhe është shpallur kampion. Po ky sportist është shpallur kampion edhe në garën e 110 metrave me pengesë me kohën 14″68. Në garën e kërcimit së gjati ka triumfuar një tjetër sportist i Vllaznisë, Gledis Halluni që ka kërcyer 6.32 metra dhe është renditur i pari duke u shpallur kampion në këtë disiplinë. Në garat e kërcimeve ka patur edhe një tjetër sukses, teksa në garën e kërcimit trehapësh ka dalë i pari Suad Bashku që ka kërcyer 12.80 metra. Atletët e Vllaznisë kanë zënë vend të parë edhe në stafetën 4×100 metra teksa kanë arritur kohën 47″6. Në përfundim të kampionatit, atleti i Vllaznisë Bajram Muça është shpallur edhe sportisti më i mirë i kampionatit duke merituar një kupë të posaçme. Siç shihet, ka qenë një triumf absolut i sportistët të Vllaznisë e këtë e thotë edhe njëri prej trajnerëve të këtij ekipi, pikërisht Albert Marashi që për gazetën online shkodrasport.com do të shprehet: “Garat e sotme treguan edhe njëherë tjetër se atletët e Vllaznisë vazhdojnë “të bëjnë ligjin” në atletikën shqiptare. 18 vjeçarët tanë dominuan në të gjitha aspektet ndaj ekipeve kundërshtare e kjo tregon se në Shkodër punohet mirë. Suksesi i këtyre të rinjve, tregon që Vllaznia e ka të ardhmen e sigurtë edhe për disa vite të tjera”.

Gjergj KOLA

(www.shkodrasport.com)