Ndeshja e rradhës, ajo e vlefshme për javën e 17-të në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Kastriotit, do të luhet ditën e shtunë në orën 18.00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Kështu është vendosur nga kompania që trasmeton ndeshjet e Superligës në bashkëpunim edhe me FSHF-në. Vendosja për ta luajtur këtë takim nën dritën e projektorëve, tregon se ky takim pritet me shumë interes dhe për këtë arsye, edhe shikuesit do jenë të shumtë. Në Shkodër nuk e kanë kundërshtuar këtë gjë ndonëse Vllaznia nuk ka patur shumë shans me zhvillimin e ndeshjeve me drita. Kuptohet që atmosfera është shumë më e bukur por në Shkodër nuk e duan shumë bukurinë, nisur edhe nga ato çfarë kanë ndodhur në ndeshjet e mëparshme që janë zhvilluar në kushte të tilla.

Orari gjithsesi është fiksuar tashmë dhe nuk do ndryshohet më. Për këtë ndeshje, trajneri Vata nuk do ketë në dispozicion lojtarin më në formë të skuadrës, Dritan Smajlin që ka plotësuar numrin tre të kartonave të verdhë dhe do jetë i detyruar të mos luajë. Të tjerët do jenë të gjithë të gatshëm. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme sepse në rast fitoreje, kuqeblutë do ngjiten në vendin e pestë në renditje. Qënia dy pikë më shumë në renditje për krutanët, i jep shansin kuqebluve ta tentojnë kalimin në renditje.

www.shkodrasport.com