Përpjekjet për të përforcuar ekipin me lojtarë cilësorë kanë qenë të mëdha për drejtuesit e Vllaznisë në basketboll për meshkuj. Ata po tentojnë të sjellin në ekip lojtarë nga katër anët e botës, vetëm e vetëm që cilësia e tij të rritet dhe shanset për të siguruar objektivin të rriten.

Por sakaq, ekipet e tjera të kampionatit shqiptar mësohet se kanë tentuar t’i marrin edhe ndonjë tjetër lojtar cilësor që ka mbetur në Shkodër. Kështu nga sa mësohet, në adresë të Dodë Lekndreajt, ka patur disa oferta nga ekipe të kampionatit shqiptar ditët e fundit.

Lojtari që u shpall basketbollisti më i mirë i Vllaznisë për vitin 2018 në ceremoninë e zhvilluar pak ditë më parë në Bashkinë Shkodër, ka qenë në mëdyshje për të ardhmen e tij. Megjithatë mësohet se pas bisedimeve që ka zhvilluar me presidentin e Vllaznisë Alban Xhaferi, ka vendosur që të qëndrojë në Shkodër të paktën deri në fund të këtij sezoni.

Ai është joshur edhe nga oferta që i ka bërë presidenti dhe në ditët në vijim do të firmosë një kontratë të re me të, kuptohet me kushte më të mira financiare. Kujtojmë se në fillim të sezonit nga ekipi u larguan basketbollistë si Ervin Berdica, Herion Faslija e Daniel Lekndreaj dhe këto largime padyshim që ndikuan në atë ecuri shumë të dobët të Vllaznisë në gjysmën e parë të kampionatit.

Nëse do të largohej edhe Dodë Lekndreaj, gjërat do të vështirësoheshin edhe më shumë megjithatë qëndrimi i tij është një lajm i mirë për trajnerin Plantak.
© shkodrasport.com