Periudha e ndërprerjes së kampionatit ka ardhur ndoshta në një moment jo të mirë për Vllazninë. Barazimi me Skënderbeun dhe mbi të gjitha loja e mirë që skuadra shkodrane zhvilloi, janë një garanci për të në të ardhmen. Por, për të vazhduar në këtë mënyrë, duhet vazhdimësia e kësaj ecurie dhe ndoshta kjo ndërprerje nuk do shërbejë për mirë. Mbase futbollistët të Vllaznisë u ka rënë disi “turri” që morën sepse paraqitja me korçarët ka qenë vërtetë e mirë. Ndeshja e kombëtares dhe grumbullimi I kombëtares Shpresa, ka bërë që skuadra të “boshatiset”, pasi plot 5 futbollistë të Vllaznisë janë të grumbulluar me këto ekipe. Smajli është në Gjeorgji me kombëtaren e madhe ndërsa Hasani, Tafa, Shaba dhe Guri janë të grumbulluar me Shpresat. stafi drejtues shkodran sigurisht që e ka mendjen edhe tek to, duke shpresuar në mospasjen e ndonjë problemi shëndetësor gjatë këtyre ditëve. Por kjo periudhë pushimi pritet të përfeksionojë edhe më tepër gjërat në skuadër. Lojtarët e ardhur në merkaton e janarit, sidomos Brnoviç e ndonjë tjetër, kanë më tepër mundësi për t’u ingranuar ashtu siç duhet me lojën e skuadrës. Sytë e stafit drejtues janë të përqendruar pikërisht tek ai sepse kanë shumë besim se malazezi 31 vjeçar do jetë lideri I mesfushës së tyre. Aftësitë e tij askush nuk I vë në dyshim e për të vërejtur talentin e këtij lojtari, mjafton të shohësh qoftë edhe një ndeshje kontrolli të Vllaznisë. Një futbollist që është shumë I ëmbël me topin dhe për më tepër, ka një vision të qartë loje dhe topat e tij asnjëherë nuk kanë adresë të gabuar. Ndërlidhja e mirë e tij me Morenon apo dhe me Gocajn e Hajdarin, pritet të japë efektin e duhur gjithnjë e më shumë në ndeshjet e ardhshme. Gjithashtu, kjo periudhë do t’I shërbejë stafit drejtues të Vllaznisë për të korigjuar ndoshta diçka edhe në sulmin e saj. Mbase me sulmuesit Jabllan dhe Gjini duhet punuar diçka më shumë, për ingranimin me njëri-tjetrin por edhe me mënyrën e lojës. Me këtë çështje, fare mirë mund të merret zëvendëstrajneri Vioresin Sinani I cili ka se çfarë t’u japë nga përvoja e tij. Malazezi Jabllan duket se ende nuk është përshtatur ashtu siç duhet me skuadrën. Gjini nga ana tjetër, ende nuk e ka besimin në vetvete se mund të jetë ai lideri I sulmit. Mosgjendja në lartësinë e duhur e këtyre dy sulmuesve, në fakt ka ndikimin e vet në ekip sepse nëse do ishte shënuar të paktën një gol me Skënderbeun në ndeshjen e fundit, Vllaznia tani thuajse do ishte e kualifikuar për në gjysmëfinale të kupë. E nëse iku ndeshja me korçarët, I njëjti problem do jetë edhe për takimet e ardhshme. Në derë është ndeshja e rradhës me Kamzën. Madje, kjo më shumë sesa ajo që shkoi, duhet fituar medoemos në mënyrë që kuqeblutë të rrijnë të qetë në kampionat. Por pa shënuar, sigurisht që ndeshja nuk mund të fitohet dhe Jabllan e Gjini natyrisht që duhet të shënjestrojnë më mirë portat kundërshtare. Por jo vetëm ata. Këtë gjë mund ta bëjnë edhe lojtarë të tjerë të skuadrës. E rëndësishme është që Vllaznia të shënojë sepse vetëm në këtë mënyrë, do jetë më e qetë në arritjen e objektivave të saj.
Gjergj KOLA