Njëra është një emër i madh në futbollin shqiptar, tjetra një emër modest. Në fushën e lojës megjithatë mes Besës së Kavajës dhe Adës së Velipojës nuk ka patur asnjë diferencë ditën e shtunë dhe nëse kavajasit kanë fituar 2-1, fitorja ka ardhur edhe falë ndihmës së gjyqtarëve por edhe presionit që ata kanë ushtruar ndaj djemve të rinj nga Velipoja. Këtë gjë ka deklaruar në intervistën e tij për gazetën online shkodrasport.com, trajneri i Adës Samuel Nikaj kur ka thënë: “Ka qenë një ndeshje e përkryer nga ana jonë. Nëse nuk morëm pikë, kjo ka ndodhur edhe për fajt të gjyqtarëve por edhe për presionin që është ushtruar ndaj nesh. Goli i parë i Besës ka qenë pozicion jashtë loje fillimisht dhe më pas edhe faull në dëm të portierit tonë.
Gjyqtarët nuk dhanë as njërën dhe as tjetrën. Ne arritëm të barazojmë, kishim shanse për të shënuar edhe ndonjë gol tjetër ndërkohë që gjyqtari së paku duhej të kishte nxjerrë me karton të kuq 2 futbollistë të Besës për ndërhyrje shumë të rënda. Sikur të mos mjaftonin këto, presione nga më të ndryshmet para dhe gjatë ndeshjes. Për këtë arsye, mendoj se paraqitja e ekipit tim ka qenë shumë e mirë pavarësisht se nuk morëm pikë rrjedhojë e gjithë këtyre gjërave. Humbja me Besën megjithatë nuk i prish planet e Adës për të bërë një paraqitje dinjitoze në këtë kampionat. Ata tashmë e kanë fituar kampionatin e tyre sepse të gjithë tifozët dhe ekipet kundërshtare kënaqen duke parë futbollin e bukur që ajo luan.
www.shkodrasport.com