Mbrëmë pas një gare kontrolli të zhvilluar në palestrën e peshëngritjes së klubit Vllaznia, është përcaktuar edhe përbërja e plotë e ekipit të Vllaznisë që do marrë pjesë në kampionatin kombëtar që do zhvilohet në fund të kësaj jave në Elbasan. Pas ndoshta 30 vitesh, për të përcaktuar sportistët pjesmarrës zhvillohet një garë kontrolli ngaqë mes disa prej tyre ka patur jo pak konkurrencë. Pikërisht pas kësaj gare, ka dalë me rezultatet më të mira shtangisti Flogert Mali, i cili kësisoj do të konkurrojë në peshën 69 kg. Rezultati i arritur prej tij, ka qenë më i mirë se ai i tre sportistëve të tjerë dhe prandaj grupi i trajnerëve ka vendosur për 16 vjeçarin. Me përzgjedhjen e Malit, tashmë janë përcaktuar të tetë sportistët e Vllaznisë që do ta përfaqësojnë atë në kampionat.

Kështu në peshën 62 kg, për Vllazninë do konkurrojë Valmir Kotrri, në peshën 69 kg, pra përveç Flogert Malit do jetë edhe Gridi Jahja, në peshën 75 kg do konkurrojë Senad Perfati. Ndërkohë edhe në peshën 85 kg, do jenë dy sportistë, Erkand Qerimaj dhe Xhulio Prroni ndërsa në peshën 94 kg do jetë Marjan Bregu dhe në peshën +105 kg do konkurrojë Isa Bala. Për njërin prej trajnerëve të këtij ekipi, pikërisht Muhamet Tuzi, duket thuajse e sigurtë që titulli kampion do vijë edhe këtë vit në Shkodër. “Jemi të bindur se do jemi sërish kampionë megjithatë t’ia lëmë garës sepse mund të ketë edhe të papritura. Forma e ekipit tonë është shumë e mirë dhe fakti që ka shumë konkurrencë edhe për të përcaktuar sportistët që do marrin pjesë në kampionat, e tregon këtë. Përveçse si ekip, do tentojmë që përveç dy titujve kampionë si individë që morëm vjet me Qerimajn dhe Bregun, sivjet të kemi kampion edhe Isa Balën. Shpresat janë të mëdha, megjithatë të shohim”-ka thënë për gazetën online shkodrasport.com trajneri Tuzi. Por ndërkohë, përveç sportistëve që do marrin pjesë në garë, pritet që me ekipin e Vllaznisë të udhëtojë drejt Elbasanit edhe sportisti shumë i talentuar, 15 vjeçari Emanuel Lushi që do konkurrojë jashtë gare. Sipas trajnerit Tuzi, ndonëse në këtë moshë, ai do kërkojë të kapë normat e kategorisë së parë, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një sportist të përmasave ndërkombëtare.

 

www.shkodrasport.com