Të shtunën do të luhet ndeshja e javës së parë të kampionatit të kategorisë së parë Vllaznia- Korabi. Madje është përcaktuar edhe orari i fillimit të saj, 16.00.

Dilema e vetme është ajo se ku do të luhet ky takim, në stadiumin “Loro Boriçi” apo në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Arsyeja është se në stadium ka dy ndeshje ndërkombëtare për moshat U-17 në mes Shqipërisë dhe Kosovës, pikërisht të dielën më 9 dhe të martën më 11 shtator.

Ky impiant sportiv siç dihet, deri në këto momente administrohet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe ende nuk dihet nëse ajo do të lejojë Vllazninë të luajë një ditë përpara në këtë fushë.

Gjithsesi çdo gjë do të sqarohet shumë shpejt dhe të dy ekipet do të mësojnë vendin se ku do të luajnë.
© shkodrasport.com