Ka mjaftuar një 90 minutësh I mirë ndaj Skënderbeut dhe në Shkodër kanë filluar të ngjallen shpresat për Vllaznisë. Kanë qenë të shumtë ata që kanë menduar se skuadra mund të shkonte gjithnjë e më keq pas nisjes jo të mirë që I bëri këtij viti. Megjithatë, gjërat kanë filluar të shkojnë ashtu siç duhet nga sa duket. Loja e zhvilluar ditën e enjte ndaj korçarëve, të jep shpresa. Në 90 minuta ka patur vetëm një skuadër në fushë dhe ajo ka qenë Vllaznia. Ka krijuar më shumë volum loje, ka patur më shumë raste e nga ana tjetër portieri I saj Vujadinoviç, gjatë gjithë takimit vetëm dy herë është shqetësuar nga lojtarët kundërshtarë. Nisur nga e gjithë kjo, vetë trajneri Vata pas ndeshjes është shprehur: “Kjo është ndeshja më e mirë e Vllaznisë që nga momenti kur unë jam trajner I saj”. Por nuk ka thënë, “do jetë më e bukura deri në fund”. Çka lë hapur mundësinë për të tjera paraqitje edhe më të mira. Në fakt, është nëse normale të priten të tjera ndeshje të tilla. Edhe logjika është Brenda kësaj ideje. Tek Vllaznia janë disa lojtarë të ardhur në merkaton e janarit dhe ata përbëjnë gjysmën e skuadrës. Pikërisht, ndaj Skënderbeut prej tyre ishin në fushë Kraja, Vuk, Moreno, Brnoviç dhe Jaballan. Për asnjërin prej tyre nuk mund të thuhet se ka dhënë ende më të mirën në fushën e lojës. Sidomos shumë më tepër pritet nga Brnoviç, një lojtar që pritet të bëjë diferencën në fushë. Ish-lojtari I Partizanit të Beogradit dhe kombëtares së Serbisë e Malit të Zi, dallohet qartë që nuk është aty ku duhet. Periudha e dëmtimit e ka lënë disi prapa dhe nga ndeshja në ndeshje pritet që ai të dalë aty ku duhet në mënyrë që edhe Vllaznia të mbështetet tek ai ashtu siç duhet. Po ashtu, ka diçka për t’u rregulluar edhe në sulm. Jabllan, iu ofrua golit në takimin e fundit, mundohet të bëjë gjëra në fushë por duket larg portës. Ndoshta edhe ngaqë skuadra nuk e ka furnizuar ashtu siç duhet me topa. Edhe Gjini pavarësisht përpjekjeve që bën, sërish duket qartë se nuk e ka besimin në vete për të qenë ai lideri I sulmit të kuqebluve. E përgjithshmja megjithatë në këtë ndeshje ka qenë positive. Vllaznia është e dyta në grup dhe ka më shumë shpresa se Flamurtari për të qenë në gjysmëfinale. Gara duket se do jetë mes tyre ngaqë Skënderbeu është disi më I avantazhuar. Për shkodranët është shumë e favorshme që përballja direkte me vlonjatët do jetë në “Loro Boriçi”. Megjithatë vetë trajneri Vata mendon ndryshe kur thotë: “Kemi edhe tre ndeshje për të zhvilluar dhe në këtë mënyrë, kemi edhe ne ato shanset tona për kualifikim që do t’I tentojmë deri në fund”. Pra, Vllaznia nuk do ta lërë gjithçka për ndeshjen e fundit me Flamurtarin. Ajo do kërkojë pikë edhe në dy transfertat me Skënderbeun dhe Laçin. Dhe këtë gjë kuqeblutë mund ta bëjnë sepse përballja e fundit me korçarët, u dha mundësinë atyre të besojnë më shumë në vetvete. Bashkë me futbollistët edhe trajnerit Rudi Vata që lëshon fjalë të mira në adresë të lojtarëve të tij kur deklaron: “Duke luajtur në këtë mënyrë si ndaj Skënderbeut, ne mund të shpresojmë të shkojmë sa më larg”. Thënë ndryshe, edhe duke luajtur ashtu, shkodranët kanë shanset e tyre. Llogarite pastaj të luajnë edhe më mirë siç pritet. Të presim.

Gjergj KOLA