Ndeshja me Partizanin nuk i ka lënë një shije të mirë kapitenit të Dinamos, Agim Ibraimi, i cili në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, pranon që nuk ishin në nivelin si me Teutën, pavarësisht se ndaj të kuqve morën një pikë.

Ai pranon se rezultati që do t’i kënaqte ishin vetëm tri pikët, sepse ato i bënin shumë punë në këto momente, por gjithsesi kërkon të shohin përpara.

“Të jem i sinqertë nuk kemi qenë në nivelin që ishim me Teutën. Mendoj se kemi sakrifikuar dhe vrapuar, por duhet të kemi parasysh që skuadra e Partizanit i kishte bërë një analizë të mirë skuadrës sonë, ku mbyllte ato zona të rrezikshme dhe nuk ia dolëm të kontribuonim aq sa duhet në fazën sulmuese. Ne luanim për tri pikët, sepse ato na bënin shumë punë.

Por, gjithsecili duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe vetëm kështu mund t’ia dalim”, u shpreh fillimisht kapiteni dinamovit.

MBIJETESA – Aktualisht blutë janë në zonën e rënies dhe rreziku për t’u rikthyer në Kategorinë e Parë është shumë i madh, por nuk mendon kështu Ibraimi. Ai ka besim se tani do të dalë në pah fytyra e vërtetë e ekipit, por kërkon që fillimisht lojtarët të zhbllokohen nga ana psikologjike.

“Nuk duhet ta mendojmë aspak mbijetesën dhe ne i marrim ndeshjet me radhë.

Gjatë kësaj periudhe do të duket fytyra jonë e vërtetë. Mendoj se ekipi ka potencial dhe e kemi demonstruar në disa ndeshje të tjera, ndaj mendoj se do t’ia dalim.

Duhet të zhbllokohen psikologjikisht futbollistët dhe të mos kenë ngarkesë të rezultateve, edhe pse shumica e tyre janë të rinj dhe që nuk kanë luajtur në ekipe pretendente për kampion apo me fanellë të rëndë si ajo e Dinamos”, vijoi më tej sulmuesi i bluve.

IBRAIMI – Si një kapiten, Ibraimi në fund të ndeshjes shkoi dhe përshëndeti tifozët që e ndoqën skuadrën nga afër në stadium, edhe pse mbetën të pakënaqur nga rezultati. Ai u kërkon falje për rezultatet e arritura, ndërkohë që i konsideron si të vetmen gjë pozitive të kësaj Dinamoje aktualisht.

“Unë fillimisht dua t’u kërkoj ndjesë për zhgënjimin që u kemi dhënë tifozëve. Dinamo nuk e meriton këtë pozitën që ka aktualisht. E vetmja gjë pozitive e gjithë këtij kampionati kanë qenë tifozët”, u shpreh më tej 33-vjeçari.

VLLAZNIA – Pas derbit, Dinamon e pret një tjetër ndeshje e vështirë, siç është ajo me Vllazninë në transfertë. Mirëpo, për Ibraimin të gjitha ndeshjet janë njëlloj, ndaj do të përpiqen të marrin maksimumin ndaj shkodranëve, edhe për faktin se janë një skuadër që i lënë hapësira kundërshtarit.

“Çdo ndeshje do të jetë e vështirë deri në fund, pa marrë parasysh kush është përballë, por mendoj se Vllazninë mund ta godasim. Kjo edhe për shkak se luan një futboll atraktiv dhe të hapur, ndaj mendoj se ne i kemi pikat ku mund t’i godasim”, përfundoi prononcimin e tij kapiteni i Dinamos, Agim Ibraimi.