Lorik Boshnjaku, Dajan Shehi, Kristjan Vulaj, Marko Juriç, Herald Marku dhe i rikthyeri nga huazimi Kaina Nunjesh. Këta janë gjashtë lojtarët e afruar deri më tani te Vllaznia dhe nisur nga ajo që paralajmëroi trajneri Mirel Josa, goditja e fundit mund të jetë një sulmues krahu.

Kërkesat e kreut të pankinës janë plotësuar nga klubi, për më tepër që largime si Mevlan Adili, Ardit Krymi dhe Viktor da Silva, kanë qenë shumë të rëndësishme. Por si ndryshon Vllaznia pas afrimeve të fundit? Të paktën katër nga gjashtë përforcimet e deritanishme pritet të përfshihen direkt në formacion.

Shehi në qendër të mbrojtjes, Boshnjaku në rolin e shkatërruesit, Marku në mesfushë dhe Vulaj si sulmues i dytë ose nga krahët, janë risitë e formacionit kuqeblu që do të luajë në turin e dytë të Ligës së Konferencës ndaj Universitea Kraiovës, teksa ndeshja e parë është në Shkodër më 21 korrik.

Nga merkatoja e bërë, vetëm reparti i portës dhe në një farë mënyre sulmi nuk është prekur, edhe pse rikthimi i brazilianit Kaina është një alternativë direkte për qendrën e ofensivës, aty ku Aralica shikohet si titullar fiks. Mirëpo, në sulm është edhe Ardit Hoxhaj e Mehdi Çoba, që mund të bëjnë mirë jo vetëm nga krahët, por edhe si pykë.

Gjithsesi, me Zogoviçin në portë, kapitenin Gurishta në krahun e djathtë dhe Hakajn në të majtë, Josa merr garanci në prapavijë. Me largimin e Adilit, në qendër ka tashmë tre lojtarë të afirmuar për dy vende, pikërisht Bulatoviç dhe dy afrimet e merkatos Shehi dhe Heriç. Më afër formacionit duket dyshja ShehiBulatoviç, ndërsa kroati ka pak ditë që i është bashkuar ekipit dhe kërkon kohë për t’u përshtatur.

MESFUSHA DHE VULAJ

Me skemën 4-3-3 Josa duket se është më i prirur për t’i besuar një vend në mesfushë Boshnjakut, Jonuzit dhe Markut. Por, një kandidat potencial për të qenë pjesë e formacionit është edhe boshnjaku Heriç, i cili u preferua nga Josa në fundin e sezonit të shkuar.

Mesfusha është reparti më i mbipopulluar për momentin, pasi aty mund të luajë edhe Kristjan Vulaj, i cili është një sulmues i dytë tipik, që mund të qëndrojë më afër Aralicës, por në të njëjtën kohë ka aftësi që të luajë mirë në të dy krahët e ofensivës. Vulaj pritet të jetë një “xhol” për skemat e Josës, teksa me 4-2-3-1 do të ishte pikërisht i vendosur pas sulmuesit kryesor.

VLLAZNIA

“Tashmë kemi një dyndje në mesfushë dhe kush do të jetë në gjendje më të mirë, do të luajë. Unë kam kërkesat e mia ndaj çdo lojtari. Duke filluar që nga më i riu në mesfushë, që është Alivoda, ne duhet të rrisim shumë agresivitetin, në mënyrë që të kemi sukses”, ka thënë Josa para nisjes në Austri, duke ua bërë të qartë lojtarëve të mesfushës se i pret një luftë e fortë për të kapur vendin dhe askush nga ata nuk është i pazëvendësueshëm.