Mevlan Adili është goditja e madhe e Bylisit në merkaton e janarit. Qendërmbrojtësi nga Shkupi ka firmosur dje një kontratë që e mban të lidhur me ballshiotët deri në fund të këtij sezoni, por me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.

Presidenti Besnik Kapllanaj ka arritur të bindë 28-vjeçarin, i cili në këtë periudhë ka pasur ofertë zyrtare nga Vllaznia, por edhe klube në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas mbrojtësit të majtë Vangjel Zguro, si dhe mesfushorit të qendrës, Kristi Kote, Adili është pa dyshim një prej përforcimeve cilësore që ka bërë Bylisi, duke blinduar në këtë mënyrë repartin e prapavijës.

Pas prezantimit si lojtari i ri i Bylisit, dje Adili foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” pse zgjodhi ballshiotët për të vijuar karrierën. Ai flet edhe për ofertën që ka pasur nga Vllaznia, ndërsa vjen në Ballsh pas eksperiencës në Rusi me SKA-Khabarovsk.


Mevlan, pas aventurës në Rusi riktheheni sërish në Superiore, por jo në Shkodër, ku janë mësuar t’ju shohin tifozët. Pse zgjodhët Bylisin?

Në futboll shprehja “kurrë mos thuaj kurrë” zë vend. Realisht kam pasur oferta dhe duke qenë se Bylisi më plotësoi kushtet, unë zgjodha që të vijojë karrierën këtu. Tashmë mendoj vetëm për këtë skuadër dhe më duhet të them se fakti që jam këtu në Ballsh është sidomos prej dëshirës së presidentit Kapllanaj.


Për çfarë ju bindi Kapllanaj?

Më bindi prej ambicieve që ai ka, por edhe për shkak se u tregua insistues dhe korrekt në premtimet që më bëri. Presidenti më ka plotësuar kërkesat dhe besoj se do të bëjmë gjëra të mira me Bylisin.


Më lart u shprehët se keni pasur edhe oferta të tjera. Si është e vërteta me Vllazninë, por edhe zërat për një interesim nga Partizani në javët e kaluara?

Tani unë jam i Bylisit, por që për hir të së vërtetës nuk më ka kontaktuar klubi i Partizanit. Vazhdimisht më ka kontaktuar Vllaznia, madje edhe në këtë periudhën e fundit. Por, faleminderit dhe suksese, pasi tashmë e bëra zgjedhjen time. Do të mendoj për skuadrën ku jam dhe t’ia shpërblej në mënyrën më të mirë presidentit, klubit, stafit dhe gjithë tifozëve të Bylisit.