Tek Vllaznia gjëja e vetme që po ndodh gjatë këtyre ditëve është lakimi i emrave të ndryshëm për pozicionet vakante për funksionet drejtuese të saj, duke nisur nga ai i administratorit, drejtorit sportiv dhe trajnerit.

Çdo ditë qarkullojnë emra të ndryshëm për këto poste dhe secili që shfaqet apo prononcohet, premton gjëra fantastike për këtë skuadër.

Diçka absurde në fakt sepse i gjithë ky interes nuk u pa pikërisht në momentet më të vështira të Vllaznisë në javët e fundit të sezonit të kaluar kur ajo kishte nevojë për mbështetjen e të gjithëve por u la në baltë dhe e vetmuar.

Gatishmëria e shumë personave për t’u bërë trajner, drejtor apo administrator i Vllaznisë tregon se këto vende janë të lakmuara prej shumëkujt pavarësisht problemeve që po kalon klubi.

Skuadra shkodrane tashmë ka rënë nga Superliga dhe drejtuesit duhet të nisin sa më shpejt punën.

Pikësëpari për të ndërtuar strukturën drejtuese të klubit dhe stafin teknik, të atyre që do të marrin përsipër barrën e ringritjes së Vllaznisë.
wwww.shkodrasport.com