Liridon Latifi është golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në Abissnet Superiore. Prishtinasi ka shënuar 11 gola në këtë edicion, teksa një pjesë të mirë të tyre i ka arritur nga pika e bardhë e penalltisë.
Forma e tij nuk është më e mira dhe këtë e tregon një statistikë e thjeshtë. Latifi shënon një gol për çdo muaj.
Ai numëron nga një rrjetë në muajt: shtator, nëntor, janar, mars dhe prill, teksa në dhjetor dhe në shkurt, arriti të tundë rrjetën më shumë se dy herë, “duke kompensuar” thatësirën e muajit tetor.
Ndërkohë, nga ana tjetër, sulmuesi kroat Ante Aralica është shënuesi i dytë i kuqebluve në Superiore, por këtë arritje e ka falë ecurisë së mirë në pjesën e parë të sezonit.
Me ardhjen e Plorit, sulmuesi ka shënuar vetëm 2 gola, teksa hera e fundit, kur Aralica gjeti rrjetën ishte ndeshja gjysëmfinale e Kupës, pikërisht ndaj Partizanit.
Maringlen ZHIVANI