Vllaznia ka zhvilluar paraditen e së shtunës seancën e rradhës stërvitore në pragndeshjen me Partizanin. Kjo seancë është zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe duhet thënë se pjesmarrja nuk ka qenë e plotë. Siç dihet, dy prej futbollistëve janë të dëmtuar e pikërisht Ramadani e Hristov të cilët po zhvillojnë terapi ndërkohë që kanë munguar edhe pesë lojtarë të tjerë të cilët janë grumbulluar me Vllazninë B për ndeshjen e rradhës për kampionat.

Nga sa është parë, trajneri Jonuz dhe stafi i tij kanë punuar më shumë gjatë kësaj seance në aspektin taktik me skuadrën duke e përgatitur atë si duhet për ndeshjen e së hënës me Partizanin. Mungesa e Markut për arsye kartonash ka krijuar një problem për trajnerët të cilët po mendojnë 2-3 variante për mënyrën si duhet zëvendësuar, teksa kanë provuar në këtë vend lojtarë të ndryshëm.

Të tjerët ndërkohë pritet të jenë po ato që kanë luajtur në ndeshjet e fundit. Megjithatë duket se nuk ka shumë rëndësi se kush do të jetë në fushë për këtë përballje. Objektivi i Vllaznisë është i qartë dhe është vetëm një: Fitorja e këtij takimi. Mënyra si po zhvillohet kampionati dhe pozicioni i saj aktual në renditje, e bëjnë domosdoshmëri marrjen e tre pikëve nga kuqeblutë.

Por nuk do të jetë aspak e lehtë, për më tepër që edhe kundërshtari do të tentojë me çdo kusht fitoren sepse po kalon edhe ai momente jo të mira në ndeshjet e fundit. Skuadra shkodrane në fakt ka një problem të madh në ndeshjet që luan në stadiumin “Loro Boriçi” ku çuditërisht ka grumbulluar më pak pikë sesa në ndeshjet në transfertë.

Takimi do të luhet të hënën në orën 18.00 dhe pritet të ndiqet me interes nga tifozëritë e të dy ekipeve dhe do t’i mbështesin skuadrat e tyre për marrjen e një fitoreje që do t’u bënte jo pak punë për ecurinë e mëtejshme në kampionat.
www.shkodrasport.com