Situata te Vllaznia s’është aspak e qetë. Si të mos mjaftonte ambienti i zymtë i krijuar për shkak të shpërthimit të pandemisë COVID-19, tanimë në Shkodër askush nuk do të zbresë në fushë. Shkak janë bërë rrogat e padhëna nga ana e drejtuesve që prej 4 muajsh nuk ka derdhur asnjë të ardhur në llogaritë e lojtarëve.

Ditën e djeshme, ata bojkotuan stërvitjen dhe nëse s’do të ketë një zgjidhje nuk do të luajnë pjesën e mbetur të sezonit. Kapiteni Gilman Lika foli qartë dhe tha: “Ne kemi 4 muaj pa u paguar. Lojtarët s’kanë pse përzihen me pazare politike”.

Një mesazh ky nga një nga futbollistët që i ka dhënë ton futbollit shqiptar dhe atij shkodran në veçanti. Nëse ky “ngërç” nuk do të marrë një zgjidhje gjasat janë që lojtarët t’i japin duart drejtuesve shkodranë për të parë një destinacion tjetër për sezonin e ri.

Administratori Suad Lici i kërcënoi në një farë mënyre, pasi në fjalën e tij ish-futbollisti shkodran tha: “Nuk kemi çfarë të bëjmë. Nëse lojtarët s’do të zbresin në fushë, do të luajmë me ekipin U-19. S’është ndonjë gjë e re”. Pritet me interes të shihet se çdo të ndodhë në Shkodër, ndërsa futbollistët mund të konsiderohen të lënë mes 4 rrugëve./newsport/