Vllaznia në basketboll ka marrë një fitore në çastet e fundit ndaj Kamzës, me shifrat 87-83. Skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Fabian Gjuka, ishte pritëse në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, në një ndeshje, e cila luhej përballë një skuadre rivale në renditje si Kamza Basket.

Basketbollistët kuqeblu e nisën mirë ndeshjen, teksa fituan periodën e parë me shifrat 20-16, por Kamza fiton periodën e dytë 24-27, duke u mbyllur kështu pjesa e parë në avantazh të Vllaznisë, 44-43.

Pas pushimit mes dy pjesëve, Vllaznia kthehet më e dobët në fushën e lojës, duke qenë Kamza që në vazhdim, ka dominuar në të gjitha drejtimet mbi shkodranët.

Si rezultat i kësaj loje të mirë, ajo shpërblehet me fitoren e kësaj periode me shifrat e thella 16-25, diferencë kjo që i kalon ata në udhëheqje të rezultatit, me shifrat 60-68.

Në periodën e katërt, Vllaznia rihap takimin dhe rifutet në lojë furishëm, madje në këtë periodë ato janë të papërmbajtshëm, duke fituar me shifrat 27-15.

Me fitoren e kësaj periode me shifrat, shkodranët shkëputen me skuadrën mike, Kamza, e cila në fund të krejt ndeshjes është me vetëm 4 pikë diferencë, 87-83.

Një fitore kjo, jo vetëm morale, por në të njëjtën kohë edhe shumë e rëndësishme, që do të thotë, se nëse skuadra kuqeblu do të vijojë të ecë me këto parametra edhe në ndeshjet e tjera në vazhdim, objektivi i titullit i shpalosur nga trajneri Gjuka, mund të bëhet realitet.
Maringlen ZHIVANI