Vllaznia në basketboll për meshkuj nuk ndalet në rrugën e saj drejt titullit të tretë kampion rradhazi. Ajo ka arritur të fitojë edhe ndeshjen e dytë gjysmëfinale, atë të luajtur pasditen e djeshme në kryeqytet ndaj Tiranës me rezultatin 80 me 68 dhe në këtë mënyrë ka siguruar daljen në finale. Takimi I luajtur në sallën sportive “Fahrije Hoti”, është dominuar nga basketbollistët shkodranë të cilët e kanë mbyllur pjesën e parë me 7 pikë epërsi ndërsa në të dytën kanë ardhur duke e thelluar atë dhe e kanë mbyllur takimin me 12 pikë avantazh.

Por më shumë se kaq, e rëndësishme është që ata kanë siguruar daljen në finale. E ndërsa kualifkimi I Vllaznisë për në finale pritej, suprizë ka qenë skuadra tjetër finalist. Të gjithë prisnin që ajo të ishte Kamza Basket e cila vetëm dy muajt e fundit ka fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë por edhe atë të Superkupës, por në fakt kundërshtari I ekipit shkodran do të jetë Teuta e Durrësit që ka fituar të dyja ndeshjet ndaj kamzalinjve. Në këtë mënyrë çifti finalist I kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj këtë sezon, është ai Vllaznia- Teuta. Në pamje të parë, të gjithë e mendojnë skuadrën shkodrane si favorite ngaqë është kampione në fuqi dhe për më tepër, do të ketë të drejtën për të luajtur një ndeshje më shumë në “Qazim Dervishi”, por në fakt, vetë drejtuesit e saj kanë mendim tjetër. Ato e vlerësojnë maksimalisht Teutën dhe sidomos ndeshjen e parë, atë që do të luhet ditën e shtunë në Shkodër. Një ndeshje në të cilën duhet bërë shumë kujdes sepse në rast fitoreje të durrsakëve, gjithçka merr tatëpjetën por trajneri Gjeçaj dhe basketbollistët e tij e kanë të qartë këtë gjë dhe prandaj do të bëjnë shumë kujdes sepse vetëm në këtë mënyrë, do të mund të shpallen kampionë për të tretin vit rradhazi.
© shkodrasport.com