Vllaznia në futboll për femra është shpallur sot zyrtarisht kampione e Shqipërisë për sezonin 2015-2016. Ka ndodhur kështu pas përfundimit të ndeshjes së fundit të kampionatit, atë të zhvilluar në fushën “Reshit Rusi” ndaj Tirana AS të cilën ekipi shkodran e ka fituar me rezultatin 4-0.

Menjëherë pas përfundimit të kësaj ndeshje është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve për pjestarët e ekipit kampion të vendit ndërkohë që momenti më emocionues ka qenë ai kur anëtari i komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit Vasil Bici i ka dorëzuar kupën kapitenes së ekipit Uendi Muja.Kuptohet që ky është një sukses që duhet veçuar sepse Vllaznia fiton në këtë mënyrë titullin e tretë rradhazi kampion. Edhe protagonistët kryesorë të suksesit të sivjetëm janë shprehur të kënaqur për arritjen e tij por nga ana tjetër, premtojnë të tjerë në të ardhmen. “Jo gjithçka është e rastësishme në këtë ecuri të mbushur me suksese. Trofeu i tretë rradhazi kampion me Vllazninë dhe i gjashti për mua si president, sigurisht që më mbushin me kënaqësi për atë çfarë kemi arritur dhe kuptohet duke parë përpara për të mos u ndalur në këtë rrugë që kemi nisur”- ka thënë presidenti i këtij ekipi Lazer Matija. Nga ana tjetër, edhe për trajnerin Nikolin Leka mbyllet një sezon shumë i suksesshëm, i pari për të në krye të këtij ekipi dhe në të cilin fitoi si kupën ashtu edhe titullin kampion. “Janë emocione të mëdha sepse kurorëzohet puna e bërë që përpara ndeshjeve të Ligës së Kampioneve dhe deri më sot. Kuptohet që është titulli i parë për mua dhe kënaqësia është e madhe por një meritë shumë të madhe ka presidenti Matija dhe gjithë vajzat për përkushtimin dhe sakrificën e bërë për arritjen e këtyre sukseseve”- ka thënë ai. Nga ana tjetër, ndonëse është vetëm 17 vjeçe Uendi Muja ka patur nderin që për të dytën herë brenda një periudhe të shkurtër të ngrejë trofetë e ekipit të saj në rolin e kapitenes dhe prandaj ajo duket shumë e emocionuar kur thotë: “Jam shumë e lumtur. Janë momente të cilat më kanë bërë të ndihem mirë dhe për më tepër, tashmë duke e parë veten në rolin e kapitenes. Duhet të punojmë më shumë sepse Liga e Kampioneve është pranë dhe duhet të paraqitemi sa më mirë edhe aty”. Sukseset e ekipit të Vllaznisë në futboll për femra sigurisht që duhen përshëndetur sepse për tre vite me rradhë jo vetëm që nuk po lënë trofe pa marrë, por janë edhe një ekip statistikash sepse ende nuk njeh shijen e humbjes. Mjafton t’u referohemi shifrave të këtij sezoni me 18 fitore në 18 ndeshje të luajtura dhe me një golaverazh fantastik prej 134 golash të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.
Gjergj KOLA