Ditën e sotme është zhvilluar mbledhja e rradhës e Këshillit Bashkiak Shkodër dhe një nga temat e rendit të ditës ka qenë edhe shpërblimi i disa ekipeve dhe sportistëve kampionë të Sportklub Vllaznia. Por ndërsa është shpërbluar ekipi i volejbollit të të rriturve,i futbollit të femrave, i xhudos, janë shpërblyer atletë e basketbollistë, ka rënë në sy mungesa në këto shpërblime e nënkampionit të Europës Erkand Qerimaj.

Kryetari i Këshillit Bashkiak Xhemal Bushati ka theksuar se një çështje e tillë do t’i kalojë institucionit të Bashkisë Shkodër dhe në mbledhjen e ardhshme do të ketë një vendim edhe për të. Por ndërkohë propozimi më interesant ka ardhur nga këshilltari Fatlum Nurja që është gjithnjë kritik ndaj situatës së krijuar tek Vllaznia. “Po flas për një shpërblim të mundshëm ndaj një sportisti si Erkand Qerimaj. Natyrisht që ai e meriton por pyetja që lind është se ku do t’i marrë Bashkia Shkodër këto lekë për shpërblim? Unë ua kam gjetur zgjidhjen. Mjafton t’i referohemi rastit të futbollistit Bakaj. Nga sa kam parë, ai paguhet 20 mijë euro për një periudhë 5 mujore. Nisur nga refuzimi për të luajtur në ndeshjen e kampionatit me Tiranën, kam mësuar se një veprim i tillë mund të ndëshkohet sipas pikave të kontratës. Prandaj është shumë e thjeshtë. Përderisa ka refuzuar të luajë e të zbatojë kontratën, të gjobitet dhe ajo vlerë e gjobës së tij, t’i kalojë Qerimajt, është shumë e thjeshtë kjo gjë”- është shprehur ai. Mbase një propozim i tillë ka ardhur edhe si ironi sepse llogaritë e Vllaznisë janë në vete nga ato të Bashkisë megjithatë është një propozim shumë kuptimplotë, për të ndëshkuar sportistë që refuzojnë të luajnë për Vllazninë dhe të shpërblehen ato që kanë nderuar Shkodrën dhe Shqipërinë me rezultatet e tyre në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

© shkodrasport.com