E deklaroi fillimisht sponsori Xhaferi dhe më pas e përforcoi edhe drejtori Djarmati: Vllaznia e ka të domosdoshme gjetjen e një njeriu- gol. Pikërisht për këtë arsye përpjekjet e tyre janë intensifikuar në kërkim të lojtarit që mendohet të zgjidhë çështjen e golit te kuqeblutë.
Ditët e fundit u fol shumë për mundësinë e firmosjes me sulmuesin boshnjak Haris Dilaver. Ai doli në skenë ngaqë maqedonasi Marko Simonosvski vonoi të kthente përgjigje dhe për këtë arsye drejtuesit shkodranë panë pistën tjetër.
Por dy ditët e fundit gjërat kanë marrë rrjedhë tjetër sërish. Nga sa bëhet e ditur, Simonovski është shprehur tashmë i gatshëm për të ardhur në Shkodër dhe bisedimet kanë avancuar.
28 vjeçari është pritur të mbërrijë sonte për të mbyllur marrëveshjen me Vllazninë dhe drejtuesit shpresojnë të ndodhë kështu. Një nga arsyet pse i janë rikthyer pistës “Simonovski” ka të bëjë edhe me faktin që ai duke qenë maqedonas, nuk konsiderohet i huaj dhe si rrjedhojë mund të mos krijojë probleme për aktivizimin e të huajve të tjerë.
Trajneri Brdariç ka ditë që thotë se Vllaznisë i duhet një numër “9” dhe të gjithë tashmë shpresojnë që ai të jetë Marko Simonovski. Me ardhjen e mundshme të tij, merkatoja e kuqebluve mund të konsiderohet e mbyllur, por gjithsesi duhet pritur deri më datë 20.
www.shkodrasport.com