Atletët e Vllaznisë kanë arritur të kurorëzojnë me sukses një tjetër titull kampion. Ai që kanë fituar pasditen e sotme në Elbasan, ka qenë i nënti rradhazi për ta. Një sukses i merituar teksa nuk e kanë vënë asnjëherë në dyshim fitoren e tij dhe kjo shihet më së miri tek diferenca prej 40 pikësh me Tiranën e vendit të dytë. Në garat e sotme, ka triumfuar sërish Bajram Muça, këtë herë në 110 m/p ndërkohë që një tjetër titull kampion është fituar edhe në garën e kërcimit trehapësh.

Në mungesë të Smajlajt të dëmtuar ditën e djeshme, rivaliteti sërish ka qenë në mes atletëve të Vllaznisë dhe deri në kërcimin e fundit, në vend të parë ka qenë Muhamet Çengeli me 14.60 m por në fund, kërcimi i Ergys Gjeçajt me 14.80 m, e ka shpallur atë kampion të kësaj skuadre. Ashtu si dje në kërcim së gjati, edhe në këtë garë, katër shkodranë kanë zënë vendet e para dhe madje me mbi 14 metra secili. I treti është renditur Gledis Halluni ndërsa i katërti Durjan Idrizaj. Në garën e 200 m, ka bërë një paraqitje të mirë Franko Burraj që ka zënë vendin e dytë ndërsa në 400 m/p Eqerem Rusi ka zënë vendin e tretë. Vllaznia si ekip ka zënë vend të dytë edhe në stafetën 4 x400 m. Kësisoj me 159 pikë të grumbulluara në total, ekipi shkodran shpallet kampion i Shqipërisë edhe për vitin 2017. Një sukses i merituar i gjithë sportistëve por edhe i trajnerëve Albert Marashi, Vildan Tufi, Fatjon Serhati, Bruno Rrotani dhe Dorian Tafa.

© shkodrasport.com