Prej kohësh, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka konfirmuar Mirel Josën në krye të stolit edhe për sezonin e ardhshëm, duke thënë herë pas here se bëhet fjalë për një projekt afatgjatë mes palëve.

Ky vendim i presidentit Xhaferi i hap rrugën nisjes së planit për ndërtimin e skuadrës së edicionit të ri. Vllaznia do të përballet me shumë largime dhe drejtuesit, përveçse duhet të mbulojnë hapësirat e lëna, do të duhet të punojnë edhe për të krijuar një ekip më të mirë, sesa i sezonit që sapo u mbyll.

Kryesisht, merkaton do ta kenë në dorë drejtuesit së bashku edhe me trajnerin Josa, teksa sigurisht edhe ai do të ketë kërkesat e tij në lidhje me futbollistë apo pika ku skuadra duhet të përmirësohet.

Gjithçka nis nga mbrojtja, ku Esin Hakaj pritet të largohet ndoshta për një aventurë jashtë vendit dhe të lërë një vend bosh në krahët e defensivës.

Natyrshëm, Josa kërkon një futbollist tjetër me peshë në anën e majtë, teksa pritet që klubi t’ia plotësojë në merkato një gjë të tillë trajnerit.

Në mesfushë nuk priten largime të tjera të rëndësishme, përveç Krymit që dihet tashmë, por trajneri Josa dhe klubi janë të vetëdijshëm se në këtë repart, duhet një futbollist me cilësitë e një lideri, të ngjashme me ato të Krymit.

Shumica e mesfushorëve aktualë janë të rinj dhe pa personalitetin e duhur për të mbajtur peshën sportive, por edhe psikologjike të skuadrës në momente të vështira.

Në sulm, Kaina i konfirmuar për t’u rikthyer, ka nevojë për një partner që ta ndihmojë, por edhe ta vendosë në presion për formacionin.Ndoshta, Aralica do të largohet dhe në vend të tij pritet një tjetër sulmues. Deri më tani, ende nuk ka një shënjestër të qartë të drejtuesve për ndonjë futbollist të caktuar. Fillimisht duhet të negociohet largimi i kroatit, që ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, është lakuar edhe emri i mesfushorit anësor të Partizanit, Stenio Junior, të cilit i ka përfunduar kontrata me të kuqtë, teksa thuhet se ka pasur bisedime mes palëve, por ai momentalisht është kthyer në Brazil.

Gjithashtu, Da Silva me gjasa do të firmosë rinovimin me Vllaznisë, por nëse sulmuesi nuk kthehet nga Brazili, do të duhet një zëvendësues edhe për të. Një tjetër mision shumë i vështirë. Vëmendja e drejtuesve të Vllaznisë do të jetë fillimisht në tregun vendës, teksa në ditët në vazhdim mbetet për t’u parë dhe zbuluar çdo gjë.
Maringlen ZHIVANI