Opinion nga Saimir Demi

E keqja është ta mbash veten derisa të mos të të rrëshkasë këmba, pasi nëse të ndodh një gjë e tillë, në këtë vend ku jetojmë është e vështirë të gjesh dashamirës. Vllaznia është një shembull, që kur të vijnë të këqijat, të vijnë të gjitha në të njëjtën kohë dhe disa prej tyre nuk ke mundësi as t’i ndalësh. Klubi shkodran u vu në pozitë të vështirë që në prag të kampionatit dhe një gjë e tillë lidhej kryesisht me mundësitë shumë të limituara financiare. Drejtorit Grima iu ngarkua të ndërtojë një skuadër me ca para xhepi dhe ia arriti në njëfarë mënyre, kuptohet me mundime shumë të mëdha. Së pari, ndikoi që në pankinë të jetë një emër i njohur si Agim Canaj, i cili është mësuar të pranojë sfida dhe veç të tjerash nuk është nga ata që bëjnë “pazar” përpara se të ulen në pankinë. Skuadra po shkonte mirë dhe fillimisht nxituam ta quanim “surpriza e kampionatit”, por në një vend ku njerëzit braktisin edhe shtëpinë e tyre për një miting partie, mrekullitë kuptohet që nuk mund të zgjasin gjatë. Diku një rezultat negativ dhe tifozët janë të parët që protestojnë, duke bojkotuar ata që kanë nevojë për mbështetje dhe po jetojnë ditë të vështira. Por edhe ndonjë futbollist fillon të protestojë me mënyrën e tij për ndonjë pagë të vonuar, ndërkohë që Canaj nuk mund t’i ndihmojë dot, veçse të vazhdojë të veshë tutat e tij çdo ditë dhe të tentojë të stërvisë skuadrën. Edhe ai vetë ka të njëjtat probleme, por meqenëse të qenurit në krye të Vllaznisë e ka konceptuar si sfidë nuk ka dëshirë të protestojë. Ndërkohë që është edhe një e keqe që vjen nga jashtë dhe që bën dëm mbi dëm. Vllaznia prej kohësh po persekutohet edhe nga gjyqtarët, nga ata që janë të elitës dhe deri tek ata që debutojnë. Pjesa më e madhe e tendencës është bërë hapur, aq sa ka qenë objekt i mediave të shkruara, apo në ato vizive, ku kontestimet e shkodranëve vërtetohen nga pamjet. Canaj e quajti një javë më pare “gjueti shtrigash” dhe ndoshta e ekzagjeroi disi me termin, por në koncept ka të drejtë. Dhe mbi të gjitha ka një institucion që mund ta ndalojë. Nëse Bashkia e qytetit nuk ka më mundësi për ta mbajtur në Superiore, apo ta thuash me fjalë të tjera, Vllaznia e ka bezdisur, kjo është për t’u parë në ditët në vazhdim. Nëse tifozët vazhdojnë të kërkojnë spektakët, kjo sigurisht që është e drejta e tyre. Nëse futbollistët janë të paaftë, mund ta zbresin natyralisht ekipin një kategori më poshtë. Po arbitrate pse duan t’i japin një dorë të keqes… kjo po që nuk ka kuptim.