Vllaznia ka nisur dje përgatitjet për sfidën e radhës për javën e katërt të kampionatit ndaj Egnatias.Në këtë seancë të së hënës ka rënë në sy mungesa e Liridon Latifit, i cili pas dëmtimit që pësoi ndaj Kukësit, gjasat janë që të qëndrojë edhe dy javë jashtë fushave.

Hematoma në pjesën e pulpës ka bërë që të lëvizë me paterica dhe duke qenë se do të ketë një pushim prej 10 ditësh të kampionatit prej ndeshjeve të Kombëtares, rikthimi i kosovarit me shumë mundësi do të jetë në tetor.

Ndërkohë, në stërvitjen e djeshme ka qenë i diferencuar mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj, i cili mungoi kundër Tiranës.Edhe pse ishte i pranishëm në stol, shkodrani nuk luajti asnjë minutë prej një dëmtimi që ka pësuar në thembër.Megjithatë, deri të shtunën mendohet se lojtari i krahut do të jetë plotësisht gati.

Një mungesë e sigurt ndaj Egnatias për shkak kartonësh do të jetë mesfushori Herald Marku, i cili në tri javë kampionat është golashënuesi më i mirë i ekipit me dy gola.

Lajm i mirë për trajnerin Mirel Josa është gjendja e Ardit Hoxhajt, i cili ka kaluar problemin shëndetësor që pati dhe mund të rikthehet titullar në Rrogozhinë.
Trajneri ka edhe katër ditë në dispozicion për të përgatitur sfidën e dytë radhazi në transfertë.