Vllaznia në basketboll për meshkuj ka arritur fitoren e parë në kampionat. Në ndeshjen e luajtur ndaj Flamurtarit në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, basketbollistët shkodranë kanë fituar me rezultatin e thellë 106 me 44. Ndeshja në fakt nuk ka patur shumë histori sepse është dominuar në të gjitha drejtimet nga vendasit. Vlonjatët vetëm në periodën e parë janë munduar të rivalizojnë dhe ky 10 minutësh është mbyllur në shifrat 26 me 10, ndërkohë që epërsia ka ardhur duke u rritur dhe në të dytën, Vllaznia sërish ka fituar me rezultatin 24 me 10 duke bërë që gjysma e parë e ndeshjes të shënonte një epërsi prej 30 pikësh në favor të vendasve.

Ata e kanë shtuar ritmin e tyre dhe në periodën e tretë kanë fituar me rezultatin e tellë 31 me 12, ndërsa në të katërtën është fiksuar rezultati 25 me 12, duke bërë që i gjithë takimi të mbyllej me fitoren e thellë të ekipit shkodran me rezultatin 106 me 44. Fitorja me 62 pikë diferencë, natyrisht që tregon për diferencat në mes dy ekipeve megjithatë, drejtuesit e Vllaznisë natyrisht që nuk kënaqen me këtë sepse e dinë që kampionati do të jetë shumë i vështirë. Në takimin ndaj Flamurtarit, pikëshënuesi më i mirë ka qenë basketbollisti shkodran Dodë Lekndreaj me 19 pikë të shënuar dhe pas tij, kanë qenë Gjon Ndoja me 17 pikë dhe Redi Rakaj me 16 pikë. Ndeshjen e ardhshme Vllaznia do ta luajë sërish në Shkodër, këtë herë ndaj ekipit të ri kryeqytetas Ardhmëria që drejtohet nga trajneri shkodran Afrim Bilali. Kuptohet që objektivi është i qartë: vetëm fitorja. Megjithatë, për trajnerin Gjeçaj, gara nuk është me këto ekipe por me Tiranën, Teutën dhe Kamzën me të cilët do të zhvillohet gara për titullin kampion këtë sezon.

© shkodrasport.com