Me dy fitore i kanë mbyllur ndeshjet e kësaj jave ekipet e volejbollit të klubit Vllaznia. Meshkujt kanë mundur 3-1 Farka Volej ndërsa femrat kanë fituar 3-2 ndaj Partizanit. Ndeshjet kanë dhuruar shumë emocione. I pari ka qenë takimi i femrave. Vajzat shkodrane e kanë nisur mirë ndeshjen dhe fitojnë setin e parë 25-23. Këto shifra do të përsëriteshin edhe në dy setet e tjera, por nëse të dytin e fiton Partizani, të tretin e merr sërish Vllaznia që kalon në epërsi 2-1 me sete. Në të katërtin janë vajzat mike që fitojnë lehtësisht 25-13 duke e çuar ndeshjen në set final.
Në këtë të fundit, është ekipi shkodran që tregohet më i kujdesshëm dhe fiton 15-12 duke fituar kështu krejt ndeshjen me sete 3-2. Kjo ishte fitorja e tretë për të në katër ndeshjet e zhvilluara deri më tani duke mbajtur vendin e tretë në renditje për momentin. Edhe ndeshja e meshkujve Vllaznia- Farka Volej pati jo pak emocione. Shkodranët fituan setin e parë 25-17 ndërsa në të dytin gabojnë në fund dhe janë miqtë që barazojnë gjithçka pas fitores 27-25. Trajneri Mark Kroqi udhëzon të tijët për të qenë më të përqendruar në lojë dhe kjo ndodh në dy setet e tjera që fitohen me të njëjtin rezultat dhe Vllaznia kësisoj fiton krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Kjo ishte fitorja e parë për të në tre ndeshjet e luajtura deri më tani dhe me siguri që rezultatet pozitive do të vazhdojnë edhe në javët e ardhshme.
© shkodrasport.com