Vazhdon të jetë shumë i sukseshëm trajneri shkodran Samuel Nikaj në krye të ekipit Flamurtari të Prishtinës. Pasi e ka marrë këtë ekip në vendin e tetë, me fitoren e sotme 1-0 ndaj ekipit të Fushë- Kosovës, ekipi i drejtuar nga ish-trajneri i Vllaznisë dhe i Tërbunit, është ngjitur në vendin e dytë në renditje. Një ngjitje e justifikuar kjo pas një barazimi dhe dy fitoresh të arritura nga ekipi i Flamurtarit në tre ndeshjet që drejtohet nga Nikaj. Takimi i sotëm ndaj Fushë- Kosovës konsiderohej shumë i vështirë. Jo vetëm se luhej në transfertë por edhe sepse të dy ekipet ishin me pikë të barabarta, nga 15.

Megjithatë, flamurtarët kanë luajtur më mirë dhe falë golit të shënuar nga Visar Plakaj, kanë arritur të fitojnë 1-0 duke marrë trepikëshin që i ngjit ata në vendin e dytë në renditje. Duhet thënë se një kontribut të madh në fitoren e sotme kanë dhënë sërish të tre futbollistët shkodranë që luajnë me këtë ekip, pikërisht portieri Ervin Hallunaj, mbrojtësi Erbet Hotaj dhe sulmuesi Jurgen Gjini. Në këtë mënyrë situata tek skuadra prishtinase tashmë është përmirësuar tërësisht nga ajo e pak javëve më parë kur drejtuesit e klubit u detyruan të largojnë edhe trajnerin e mëparshëm. Vendimi për të marrë Samuel Nikën nga Shqipëria duket se ka qenë më i drejti për ta sepse kjo gjë po jep frutet e veta. Nga vendi i tetë, ekipi tashmë është i dyti, duke qenë brenda objektivit sepse siç dihet në fund të sezonit dy ekipet e para ngjiten në Superligë.

© shkodrasport.com