Skuadra e Bledar Gjeçajt ka mundur edhe skuadrën kampione në fuqi- Kamza Basket. Madje fitorja është arritur brenda në Kamëz në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e sotme. Rezultati përfundimtar i fiksuar në fund të këtij takimi ka qenë 88-81 për Vllazninë. Në këtë mënyrë skuadra shkodrane siguron edhe fitoren e pestë në pesë ndeshje të luajtura të fazës së parë duke e mbajtur vendin e parë në renditje tashmë e vetme. Fitorja e sotme ka qenë shumë e rëndësishme sepse do të tregonte në fushën e lojës forcën e secilës skuadër. Trajneri Gjeçaj në fakt e kishte deklaruar se objektivi ishte vetëm për të fituar dhe kështu ka ndodhur.

Nga informacionet që merren në lidhje me këtë ndeshje, ajo është zhvilluar me shumë rivalitet por basketbollistët kuqeblu kanë qenë më racional në veprimet e tyre dhe për rrjedhojë kanë arritur të ruajnë distancën derisa e kanë mbyllur krejt ndeshjen në favorin e tyre me 7 pikë diferencë. Me fitoren e sotme, gjërat bëhen më të lehta për ekipin shkodran për ta ruajtur vendin e parë në renditje sepse në fazën e dytë, të tre ndeshjet kryesore, ato me Tiranë, Apoloninë dhe Kamza Basket, do t’i luajë në Shkodër.
Gjergj KOLA