Opinion nga Brikeno BIZI

Sot po flitet shpesh për Vllazninë. Nëse do merremi me pikët që ajo ka grumbulluar, nuk është keq. Ndodhet në vendet e para të renditjes, pavarësisht se skuadrat janë të ngjeshura në renditje.Trajnerët që vijnë nga rrethet e tjera apo dhe nga jashtë tek Vllaznia, sigurisht që prej pikëve u maten treguesit dhe në këtë kontekst, ata kanë të drejtë që kërkojnë mbi të gjitha pikët dhe jo lojën e bukur. Sa për lojën, mendimi i përbashkët i të gjithëve është se Shkodra kërkon tjetër gjë. Tifozët duan qarkullim topi, ka patur shumë dëshirë në fushë dhe prandaj duke përfshirë edhe kohën tonë kur kemi qenë futbollistë, kemi dhuruar emocione për ta. Po luhet shumë vertikalisht dhe me topa të gjatë. Nuk shoh atë qarkullim topit nga mbrojtja në mesfushë dhe sulm, duke luajtur me krahë dhe duke bërë një lidhje futbolli profesionale. Oshilacionet e Vllaznisë mendoj se u dhanë në ndeshjen e saj në kampionat ndaj Shkumbinit. Të luash në Shkodër dhe të tërheqësh ekipin prapa për 45 minuta, është si t’i thuash kundërshtarit hajde e sulmo. Shkodra nuk e ka patur ndonjëherë praktikë loje këtë gjë duke luajtur me skemë 5-4-1. Shkodranët nuk e kanë në karakterin e vet lojën mbrojtëse. Më duket se Vllaznia po ikën edhe nga identiteti i saj. Nuk është shumë normale që ajo të marrë shumë futbollistë të huaj kur gjysma e Shqipërisë po luan me lojtarët tonë. Klubi duhet të ndjekë ndoshta një strategji tjetër sepse lojtari shkodran e ndjen bluzën më rëndë sesa ai që vjen nga jashtë.Sa i takon ndeshjes së rradhës, asaj për kupë me Shkumbinin, unë sigurisht që e vlerësoj Vllazninë si favorite për kalimin në turin tjetër. Mendoj se edhe trajneri Duro do ta vendosë ndryshe skuadrën në fushë sepse llogaritë nuk bëhen tani si në një ndeshje kampionati. Përpos kësaj, them se Shkumbini nuk do ta ketë shumë mendjen tek kupa për shkak të problemeve që ka në kampionat por kjo nuk do të thotë se Vllaznia duhet ta neglizhojë këtë skuadër. Skuadra jonë duhet të shënojë shumë shpejt gol. Nëse nuk e bën këtë gjë, do ta ketë shumë të vështirë.