Vllaznia e atletikës arrin edhe një tjetër sukses në aktivitetet kombëtar. Pas titujve kampione me 16 dhe 18 vjeçarët pak ditë më parë, sot ka fituar edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë për të rritur, në garat e zhvilluara në Elbasan.

Atletët shkodranë kanë dominuar mbi të gjithë të tjerët duke grumbulluar më shumë pikë dhe duke merituar kupën e vendit të parë, duke qenë shumë të shkëputur nga Skënderbeu i vendit të dytë dhe Tirana e vendit të tretë.

Ata kanë qenë fitues në shumë prej disiplinave të këtij aktiviteti. Kështu, në garën e 100 metrave ka spikatur atleti Daniel Guri që ka zënë vendin e parë. Në vend të dytë dhe të tretë janë renditur sërish dy atletë të Vllaznisë, Edison Qardaku dhe Xhuljan Guri.

Edhe në garën 110 m/p sërish vendi i parë i ka takuar një atleti të Vllaznisë, Ravio Rama. Ai ka lënë në vend të dytë Arber Bajraktari, po të ekipit shkodran.

Në 200 m spikat si gjithmonë i mirënjohuri Franko Burraj që është renditur i pari ndërsa atleti tjetër i Vllaznisë Daniel Guri u rendit i treti.

Burraj ka zënë vend të parë edhe në garën e 400 metrave dhe si rrjedhojë e këtyre rezultateve, ai në fund të aktivitetit është vlerësuar edhe si sportisti më i mirë duke marrë kupën përkatëse.

Vllaznia ka spikatur edhe në një tjetër disiplinë të vetën, atë të kërcimeve. Në atë së gjati, fitues është shpallur Muhamet Çengeli me distancën 7.28 m. Në vend të dytë Gledis Halluni me 7.00 m dhe në të tretin Endri Rakaj me 6.90 m, të dy këta sportistë të Vllaznisë.

Edhe në kërcimin trehapësh ka dominim shkodran sepse të tre vendet e para i takojnë atletëve të Vllaznisë. Muhamet Çengeli është shpallur sërish fitues, në vend të dytë ka qenë Heldi Valikaj dhe në të tretin Durjan Idrizaj

Vllaznia ka zënë vend të parë edhe në stafetën 4×100 m ku për të kanë konkurruar Franko Burraj, Daniel Guri, Xhuljan Guri dhe Arber Bajraktari.

“Teguam edhe njëherë se Vllaznia nuk ka rivalë në atletikën shqiptare. Fakti që jo vetëm zumë vendin e parë si ekip, morëm kupën e sportistit më të mirë dhe po ashtu, dominuam thuajse në të gjitha disiplinat, e tregon më së miri këtë gjë. Puna e sportistëve dhe e trajnerëve po shpërblehet me këto rezultate shumë pozitive”- shprehet kryetrajneri i Vllaznisë Albert Marashi.

Ndërkohë në garat e femrave, Erisa Rrasa spikat edhe njëherë tjetër duke zënë dy vende të para ndonëse është vetëm 15 vjeçe. Në kërcim së gjati ka kërcyer sërish 5.58 m çka është një rezultat shumë i mirë dhe po ashtu ajo zuri vend të parë edhe në kërcimin trehapësh.
© shkodrasport.com