Pas fitores në ndeshjen e parë, Vllaznia e volejbollit të të rejave ka fituar edhe sot në gjysmëfinalen e dytë ndaj Apolonisë dhe tashmë e sheh veten në finalen e kampionatit.

Në ndeshjen e luajtur sot në Fier, vajzat shkodrane të drejtuara nga trajnërët Ana Gjelaj dhe Ferdinand Bardeli kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0.

Vetëm seti i parë kishte deri diku rivalitet dhe ai është mbyllur në shifrat 25-21 ndërsa në dy të tjerat gjërat kanë qenë më të thjeshta për shkodranet që i fituan me shifrat 25-12 dhe 25-18.

Në këtë mënyrë, Vllaznia tashmë është në finale, aty ku do të ndeshet me ekipin e Skënderbeut, i cili i ka fituar të dyja ndeshjet gjysmëfinale ndaj Tiranës.

Finalet Vllaznia- Skënderbeu priten me interes dhe padyshim që vajzat kuqeblu konsiderohen favorite sepse janë edhe kampionet në fuqi të vendit dhe elementi është shumë cilësor.
© shkodrasport.com