Analizë nga Gjergj KOLA

Mbrëmjen e sotme Vllaznia do të mësojë shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj. Analiza që do të zhvillohet për gjysmën e parë të sezonit, pritet të shoqërohet me masa ndëshkimore. Në rradhë të parë për trajnerin, pastaj për lojtarët por nuk përjashtohet mundësia që të mos mbesë jashtë këtij ndëshkimi edhe ndonjë pjestar tjetër I klubit.

Megjithatë, çdo gjë do të vendoset pikërisht pasditen e sotme. Ata çfarë thamë më lart, janë thjesht në kudrin e atyre çfarë dëgjohen në ambjentet pranë klubit shkodranë dhe Bashkisë së qytetit, pikërisht institucionit ku do merren masat. Drejtuesit më të lartë të klubit e kanë pranuar tashmë se në skuadër duhet një reformë e thellë dhe në këtë kontekst, duhet parë se cila do jetë zgjidhja që ato do japin.
Dyshimet. Në qendër të analizës së sotme sigurisht që do jenë edhe dyshimet në lidhje me trukimin e ndeshjes së parë të kampionatit, atë mes Vllaznisë dhe Skënderbeut. Por nuk do lihet pa kaluar “në sitë” edhe ndeshja e fundit me Kastriotin, për të cilën ka jo pak dyshim për përfshirjen e disa futbollistëve në përcaktimin e rezultatit të saj. Për Bashkinë Shkodër, si pronarja me 100 për qind të aksioneve të Vllaznisë, është e rëndë të flitet për gjëra të tilla. Fakti që asnjë nga drejtuesit nuk është I përfshirë në këto dyshime, tregon se vetë ata do kërkojnë llogari për atë çfarë mund të ketë ndodhur me futbollistët në fushë. Prandaj dhe do ngrenë zërin në mbledhjen e sotme pikërisht për këto fenomene.
Vendimet. Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se në analizën e sotme pritet të merren shumë vendime të rëndësishme. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, trajneri Shpëtim Duro do shkarkohet për rezultate të dobëta sportive por edhe për merkaton e dobët që është zhvilluar. Po ashtu, edhe 2-3 futbollistë pritet t’I japin lamtumirën kësaj skuadre ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e gjobitjes së pjesës tjetër të skuadrës me një përqindje të kontratës për daljen nga objektivat. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndonjë lëvizje tjetër në strukturat drejtuese duke qenë se edhe ato kanë përgjegjësinë e vet në mosecjen ashtu siç duhet të punëve. Deri në fund të verës që në postin e administratorit ishte Kujtim Shaba, shumë gjëra iu faturuan atij por edhe pas largimit të tij, probleme të shumta vijuan të jenë present tek Vllaznia.
E ardhmja. Në vendimet që do merren sot, kuptohet që do mendohet edhe për të ardhmen. Tek drejtuesit ka marrë jetë ideja e fillimit të punës për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm që tani. Jo më kot, nëse vjen një trajner I ri, ai do të ketë një kontratë për një vit e gjysëm. Megjithatë, këto janë vetëm thjesht esenca e diskutimeve që dëgjohen në ambjentet pranë Vllaznisë. Do jetë kryebashkiaku Lorenc Luka ai që do të vërë vulën për të gjitha këto, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndryshime të situatës dhe vazhdimin e punës për trajnerin Duro apo dhe moslargimin e asnjë futbollisti por kërkesë më të madhe llogarie në mënyrë që Vllaznia të “rehabilitohet” në fazën e dytë.