Vllaznia e femrave e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer fazën e dytë të kampionatit. Në ndeshjen e parë të saj, ka fituar me rezultatin 0-6 ndaj ekipit të Murlanit, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Sa i takon ndeshjes, rezultati është zhbllokuar që në minutën e 3-të, kur Lufo ka shënuar golin e parë të ndeshjes. Vllaznia e femrave nuk ndalet me kaq dhe shënon edhe dy gola të tjerë me Gjinin dhe të zakonshmen Megi Doçi. Me këto gola do të mbyllej pjesa e parë.
E dyta do të ishte pothuajse “fotokopje” me të parën, teksa do të kishte vend edhe për tre gola të tjerë nga Vllaznia. Në minutën e 61-të, ka qenë Berisha që e ka dërguar topin në rrjetë, teksa pak më vonë, do të ishte sërish kjo lojtare, që do të shënonte edhe golin e pestë të ndeshjes dhe të dytin personal.
Në minutën e 88-të, do të ishte sërish Megi Doçi, që do të shënonte edhe golin e gjashtë dhe të dytë personal.
Ndeshja do të mbyllej këtu, përfundimisht 6-0 për Vllazninë, që me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 31 pikëve, duke qenë në vendin e parë të renditjes. Ndërkohë, nga ana tjetër, Murlani renditet në vendin e pestë me 15 pikë.
Mënyra si e ka nisur fazën e dytë, e bën skuadrën e Vllaznisë pretendente kryesore për fitimin e titullit kampion, titull që do të jetë i 9-ti rradhazi për të.
Maringlen ZHIVANI