Vllaznia ka qenë ndër ekipet më aktive të merkatos së kësaj vere. Në fakt, duket se i kanë mjaftuar dy vite përvojë në Superiore presidentit të shkodranëve, Alban Xhaferi, për të bërë një përzgjedhje ndryshe nga sezoni i kaluar, duke filluar nga stafi dhe futbollistët, që pritet të plotësojnë pritshmëritë e tij. Gjatë edicionit të shkuar të Vllaznisë në Superiore, pothuajse asnjëherë nuk patëm një formacion stabël në disa ndeshje rradhazi.

Krejt ndryshe ka nisur puna këtë sezon, teksa janë vendosur pikat mbi “i”, duke afruar pranë tij njerëz profesionistë dhe me përvojë. Shkodranët, prej 15 qershorit kanë startuar stërvitjet nën drejtimin e trajnerit kryeqytetas, Mirel Josa, si edhe afrimet kanë vijuar ditë pas dite. Ka pasur riformatim total të repartit të prapavijës, por nuk kanë munguar as afrimet në mesfushë dhe sulm.

Megjithatë, tek Vllaznia nuk e quajnë të mbyllur merkaton dhe pas ndeshjeve europiane priten të tjera risi. Kështu, mbetet të shihet se në cilin repart do të ketë përsëri afrime, por gjithsesi grupi po shkon drejt kolaudimit të plotë.

Deri më tani, Vllaznia ka bërë gjashtë afrime, të cilët janë: Lorik Boshnjaku, Kaina Nunesh, Dajan Shehi, Kristijan Vulaj, Marko Juriç dhe Herald Marku. Megjithatë, pas ndeshjeve europiane, shkodranët presin afrime të tjera.

Në seancat e këtyre ditëve, skuadra ka vijuar punën, me stërvitjet që do të vazhdojnë në Austri deri me datën 13-korrik dhe të mërkurën do të rikthehen në Shkodër, për të përmbyllur fazën intensive për ndeshjet europiane ndaj Universitatea Kraiova dhe poashtu edhe për sezonin e ri.
Maringlen ZHIVANI