E ka mbyllur me fitore vitin Vllaznia U15. Në ndeshjen e fundit ajo ka mundur me rezultatin e pastër 4-0 ekipin “Akademia e Futbollit” e Tiranës, në ndeshjen e luajtur paraditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Ka qenë Fangaj ai që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 29-të ndërkohë që pesë minuta më vonë ka qenë futbollisti Kubazi që ka dyfishuar shifrat.

Po gjatë pjesës së parë, futbollistët shkodranë do të fitonin edhe një 11-metërsh të cilin e ka kthyer në fol futbollisti Hajdari. Për të mbyllur ndeshjen do të mendonte Likaj që ka shënuar golin e katërt dhe të fundit duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0 për Vllaznia U15.

Një fitore e thellë dhe e pastër e skuadrës së drejtuar nga trajneri Edmond Doçi i cili në 6 ndeshjet e deritanishme ende nuk e sheh shijen e humbjes por ka arritur 4 fitore dhe 2 barazime.

Vllaznia U15 e ka mbyllur këtë vit në vendin e dytë në renditjes me 14 pikë të grumbulluara, duke qenë vetëm dy pikë larg Internacionalit të vendit të parë, por sigurisht që në pjesën e mbetur të sezonit do të tentojë të kapë vendin e parë dhe me siguri që do ia arrijë sepse ka një grup lojtarësh të talentuar./SHKODRA-SPORT.COM/