15 vjeçarët e Vllaznisë e kanë nisur me fitore turneun e Selanikut ku janë duke marrë pjesë. Madje, e kanë nisur me një goleadë teksa kanë mundur me rezultatin e thellë 6-0 ekipin vendas të Atermon.

Serinë e golave të këtij takimi e ka hapur mesfushori William Cungu, më pas kanë shënuar edhe Gjolaj, Boshti, Kurbasha, Rekaj dhe Kodra, duke kompletuar kësisoj këtë fitore të thellë.

Djemtë e drejtuar në këtë turne nga zëvendëstrajneri Ylad Pirani (në mungesë të Astrit Prençit që nuk ka udhëtuar drejt Greqisë për shkak të disa angazhimeve me kombëtaren U15), kanë bërë një paraqitje të shkëlqyer duke dominuar në të gjitha drejtimet ndaj ekipit të Atermon.

Nesër ndërkohë, Vllaznia U15 do të zhvillojë ndeshjen e dytë ndaj ekipit Shooters ndërsa pasnesër do të luajë ndaj PAOK, sfidë kjo që pritet të jetë vendimtarja për renditjen në grup.

Nisja me fitore e turneut, tregon se ekipi nga Shqipëria do të jetë një kandidaturë e fortë për fitimin e këtij turneu, për të përsëritur kësisoj suksesin e Vllaznia U12 që u shpall edhe ajo fituese e të njëjtit turne zhvilluar muajin e kaluar.
© shkodrasport.com