Një muaj më parë ishte atleti Franko Burraj që do të thyente rekordin kombëtar të garës së 200 metrave. Sot ndërkohë ka qenë shkodrani tjetër Izmir Smajlaj që ka thyer sërish rekord, këtë herë në garën e kërcimit së gjati.

Pista e stadiumit “Loro Boriçi” kësisoj duket se po shndërrohet në “pistë rekordesh”. Në fakt, Smajlaj e kishte premtuar pak ditë më parë kur u kishte bërë thirrje miqve dhe dashamirësve të tij për ta mbështetur në garat e kampionatit kombëtar që ka startuar sot në Shkodër.

Dhe gara ka shkuar në mënyrën e duhur. Ai ka arritur të kërcejë 8.11 metra duke thyer kësisoj me 3 centimetra rekordin e mëparshëm të mbajtur po prej tij.

Padyshim që rekordi i sotëm tregon se Izmir Smajlaj po rikthehet gradualisht në formën e tij më të mirë pas disa dëmtimeve që ka patur dhe me siguri që në garat e ardhshme do të synojë të arrijë rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare dhe për rikapur sërish podiumin si Kampion Europe siç ka qenë më parë.
© shkodrasport.com