Pavarësisht dëshirës për të triumfuar në turneun e Selanikut, ekipi Vllaznia U15 është renditur në vendin e tretë. Ky ka qenë verdikti i këtij turneu që është mbyllur mesditën e sotme.

Ndeshja përcaktuese ka qenë ajo në mes ekipit nga Shqipëria dhe PAOK të Selanikut. Ky i fundit ka fituar 1-0 falë një goli të ardhur nga një gabim i vetëm i shkodranëve dhe për rrjedhojë me atë fitore ka siguruar vendin e parë në grup dhe rrjedhimisht edhe daljen në finalen e turneut.

Ndërkohë Vllaznia U15 e renditur e dyta në grup, siguroi daljen në “finalen e vogël”, atë për vendet 3-4 dhe përballë ka patur ekipin maqedonas “Akademia Pandev”. Kuqeblutë kanë luajtur shumë më mirë dhe kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0 duke e mbyllur kësisoj turneun në vendin e tretë.

Bilanci i tyre në fakt është i shkëlqyer me 3 fitore dhe 1 humbje në 4 ndeshje të luajtura dhe me golaverazhin 14-1. Por gjithsesi kjo nuk mjaftoi për të fituar kupën.

Megjithatë, shkodranët e kanë marrë një kupë. Ajo ka shkuar për mesfushorin William Cungu i cili bashkë me një lojtar të PAOK janë vlerësuar si dy lojtarët më të mirë të grupmoshës U15. Nga informacionet që na jep përgjegjësi teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri që ka qenë bashkë me ekipin në Greqi, Cungu në të katër ndeshjet e luajtura ka bërë paraqitje të shkëlqyera duke marrë edhe vlerësimet e specialistëve që i kanë dhënë edhe trofeun e lojtarit më të mirë.

Përveç tij, mësohet se paraqitje shumë të mirë ka bërë edhe mesfushori tjetër Sergi Kopliku i cili edhe ai ka marrë vlerësime të shumta
© shkodrasport.com