Tjetër fitore për Vllaznia U15, këtë herë të parën në Shkodër. Ajo ka mundur sot me rezultatin 3-1 ekipin e Akademisë së Futbollit, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Protagonisti kryesor i këtij suksesi ka qenë mesfushori Ersi Zaganjori i cili ka shënuar dy herë, fillimisht në minutën e 18-të dhe po ashtu edhe katër minuta më vonë. Pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej me shifrat 2-0 për kuqeblutë.

Në të dytën ka qenë Halili ai që ka shënuar edhe golin e tretë dhe ndonëse futbollistët nga kryeqyteti shënuan një gol me anë të Bashës në minutën e 69-të, asgjë nuk do të ndryshonte sa i takon fatit të takimit.

Vllaznia U15 fitoi me rezultatin përfundimtar 3-1 dhe kësisoj pas tre javësh kampionat, ajo ka arritur dy fitore dhe një humbje duke qenë në kuotën e 6 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje.

Ky ekip drejtohet nga trajnerët Nefail Zhejani dhe Denis Zmijani dhe padiskutim që objektivi i tij është që të jetë ndër më të mirët e këtij kampionati që zhvillohet për herë të parë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit.
© shkodrasport.com