Vetëm gjashtë ditë më parë Vllaznia “u shfry” në Laç duke humbur ndeshjen e rradhës të kampionatit me rezultatin 5-2 ndaj vendasve dhe sot shkodranët duket se “kanë marrë hak” duke fituar ndaj kurbinasve me një rezultat shumë të thellë. Por në fakt nuk bëhet fjalë për një ndeshje të rriturish, por për atë të kampionatit të 15 vjeçarëve.

Kuqeblutë e drejtuar nga trajnerët Nefail Zhejani dhe Denis Zmijani kanë fituar me rezultatin e thellë 9-0 ndaj këtij kundërshtari. Arritja e një rezultati të tillë në fakt nuk ka qenë aspak e vështirë. Futbollistët e Vllaznisë që në pjesën e parë kanë shënuar plot 7 gola.

Ato mbajnë për autor Zaganjorin dy herë dhe po kaq edhe Gurin, ndërsa tre golat e tjerë janë shënuar nga Kola, Halili dhe Uruçi. Në pjesën e dytë ndërkohë do të shënoheshin edhe dy gola të tjerë që mbajnë firmën e Zaganjorit sërish dhe të Tafilit.

Në këtë mënyrë, Vllaznia U15 ka fituar me shifrat e thella 9-0 dhe me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 42 pikëve teksa mban vendin e tretë në renditje. Ajo e ka siguruar prej kohësh plej- ofin dhe këto dy ndeshjet e fundit do t’I shërbejnë stafit teknik për marrjen e formës së duhur të lojtarëve, përpara startit të pjesës më të rëndësishme të kampionatit.

Objektivi I 15 vjeçarëve shkodranë është padyshim të renditen në mes ekipeve më të mira dhe pse jo, të synojnë deri në fund fitimin e titullit kampion të këtij sezoni. Gjatë gjithë kampionatit, ata kanë treguar një formë të mirë sportive, kuptohet shoqëruar edhe me ndonjë oshilacion të vogël, por kemi të bëjmë me një grup lojtarësh premtues për të ardhmen, të cilët luajnë bukur futboll.
www.shkodrasport.com