Për herë të parë këtë vit, me pjesëmarrjen e disa ekipeve do të organizohet një turne madhështor në Prishtinë, i quajtur “International Football Tournament” për moshat U-17, teksa ky aktivitet pritet të nisë më 30 qershor. Pjesë e këtij turneu do të jenë disa ekipe nga vende të ndryshme, si 2-Korriku, Beshiktash, Rabotniçki, Deçiç, Ballkani, Llapi dhe AN, teksa ndër këto skuadra bën pjesë edhe Vllaznia U-17.

Ky turne, si qëllim kryesor ka evidentimin e elementëve të rinj, që luajnë në kampionate të ndryshme dhe vëzhgimin e mëtejshëm të tyre prej së afërmi. Në këtë turne që zhvillohet për herë të parë këtë vit, do të jenë mbi 30-menaxherë të ndryshëm nga Ballkani dhe Turqia, ku do të bëhet edhe vëzhgimi i talenteve të reja.

Ndeshjet mes ekipeve të Vllaznisë, 2-Korrikut, Beshiktashit, Rabotniçkit, Deçiçit, Ballkanit, Llapit dhe AN do të nisin nga 30-qershori, me skuadrat që do të vendosen përballë njëra-tjetrës në fushë, në kuadër të këtij turneu që zhvillohet për herë të parë. Ndërkohë, finalja që do të përcaktojë fituesin e grupmoshës U-17, do të zhvillohet me 2-korrik.

Drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, në një intervistë për “Shkodra Sport” foli për organzimin dhe detajet e këtij turneu, teksa u shpreh se ky turne do t’i shërbejë shumë ekipit të Vllaznia U-17, ndërsa theksoi se është një barometër i mirë matës për futbollistët shkodranë, pasi shpresohet shumë tek kjo moshë.

“Po, është një turne shumë i madh, që zhvillohet për të parën herë në Prishtinë, me ekipet kampione në vendet e tyre. Ekipi i Vllaznisë dhe i Beshiktash do të jenë të ftuar çdo vit në këtë aktivitet.

Ky turne na shërben shumë, sepse marrin pjesë ekipe kampione të vendeve të tyre dhe është një barometër i mirë për të shikuar moshën 2005-2006, sepse kemi një shpresë të madhe te kjo moshë si klub. Pas brezit 2001-2002, ky brez është shumë me të ardhme, por duhet punë dhe përkushtim më i madh që në të ardhmen, të jenë një burim i mirë për financat e klubit.

Ekipet e Vllaznisë nuk janë për paraqitje të mira, por shumë të mira dhe ne për këtë marrim pjesë në këto turne të mëdhaja, sepse kemi dëshirë t’i mësojmë fëmijet me turne të tillë dhe instiktivisht pretendojmë të fitojmë çdo turne dhe kampionat, sepse kështu ato kanë mundësi që të mësohen me vendet e para, sepse është shumë e rëndësishme ana psikologjike tek fëmijët, që t’i brumoset ideja e liderit dhe kjo nuk vjen rastësisht, por me lojë të bukur dhe shumë sulmuese, siç i ka hije Akademisë tonë.

Shikoni rastin e Gurishtës, Krymit, Hakajt, Krujës, Qarrit, Palokës, Pjeshkës, Alivodës, Fangajt, Smajlit, Hoxhës dhe shumë të tjerëve, që janë mësuar me kupa, kampionate dhe Champions, dhe nuk kanë asnjë trysni në finale.

Turneu ndikim për të ardhmen? Normalisht, ky është qëllimi jonë, që këtyre fëmijëve, t’i krijojmë kushte, që të kenë mundësi të luajnë në nivele të larta dhe duke pasur parasysh që do të ketë shumë menaxherë.

Do të jenë mbi 30-menaxherë të ndryshëm nga Ballkani dhe Turqia, për të vëzhguar këtë turne. Shpresojmë që t’i jepet mundësia t’i paraqesin vlerat e tyre dhe ne si klub jo që nuk do të bëhemi barrë, por do të jemi promotorët që për këto fëmijë, të bëjmë më të mirën për të ardhmen e tyre.

Dhuratë nga presidenti Xhaferi pjesëmarrja në këtë turne? Po, është e vërtetë, që është një dhuratë e presidentit Xhaferi për këto djem dhe e falënderojmë në mënyrë të veçantë, sepse është turne i kushtueshëm, që do të përbëhet nga 35-persona, futbollistë dhe staf në një nga ambientet luksoze të qytetit të Prishtinës.

Presidenti Xhaferi ka shtyrë nisjen për Austri me ekipin e parë për të ardhur të ndjekë live këtë turne. E thashë edhe më lart, që kjo është dhuratë e presidentit Xhaferi për ekipin e U-17 për fitimin e titullit dhe Kupës së Shqipërisë.

Gjithashtu, ju falënderojmë edhe ju si gazetë, “Shkodra Sport”, që jeni gjithmonë të gatshëm për të informuar tifozët e Vllaznisë, si brenda dhe jashtë vendit”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri.
Maringlen ZHIVANI