21-vjeçarët e Vllaznisë në volejboll për meshkuj, i kanë bërë një mbyllje pozitive takime gjysëmfinale të fazës play-off. Skuadra e drejtuar nga trajneri Endri Jukni dhe kolegu i tij Fatjon Çekini, kanë mundur në ndeshjen e rradhës Skënderbeun, duke u kualifikur për në finale.

Kjo ndeshje, e treta mes këtyre dy skuadrave është zhvilluar në Shkodër, duke u fituar nga Vllaznia me rezultatin 3-1. Në fakt, ishte një ndeshje, ku dukej dora e dyshës së trajnerëve të Vllaznia U21, Jukni-Çekini, të cilët duhet thënë se po bëjnë një punë mjaft të mirë me 21-vjeçarët e Vllaznisë në volejboll për meshkuj.

Ndeshje e luajtur dje në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ka qenë nën dominimin e Vllaznisë në fushën e lojës, duke fituar tre sete, 25-12, 25-17, 25-22 dhe humbur një 23-25. Kështu, 21-vjeçarët shkodranë kanë fituar të gjithë ndeshjen me rezultatin, 3-1.

Në këtë mënyrë, Vllaznia kualifikohet në finale. Nga sa bëhet e ditur, datat e ndeshjeve akoma nuk janë përcaktuar dhe do të jenë tre takime, në të cilat skuadra që fiton dy shpallet kampione e Shqipërisë. Titull, të cilin Vllaznia, e ka në objektivin e saj për ta sjellë në Shkodër këtë sezon.
Maringlen ZHIVANI