E nisën ndeshjen me gol, por në fund gjithçka është përmbysur dhe Vllaznia ka dalë e humbur nga ndeshja. E kemi fjalën për ballafaqimin e vlefshëm të kësaj jave të kampionatit të 21-vjeçarëve, atë në mes Egnatias dhe Vllaznisë.

Ky takim është luajtur në fushën sportive “Lekaj” të Rrogozhinës dhe në fund të tij, kanë qenë rrogozhinasit, të cilët kanë fituar me rezultatin 3-2. Ata kanë besuar deri në fund tek përmbysja dhe ia kanë dalë ta bëjnë ndaj ekipit shkodran.

Ky i fundit ka kaluar i pari në avantazh me anë të mesfushorit Eraldo Deda, kur në të 15-tën, ai ka shënuar me 11-metërsh golin e parë të ndeshjes. Megjithatë, pas 10 minutash, Egnatia barazon shifrat në 1-1, teksa Pesciallo shënoi golin e barazimit. Me këtë rezultat, u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, kuqeblutë e trajnerit Sibson e kanë ruajtur këtë rezultat deri në minutën e 59-të, madje duke krijuar përshtypjen se do ta fitonin ndeshjen, por nuk ka ndodhur kështu. Hoxha ka shënuar për Egnatian fillimisht, teksa ka kaluar në avantazh rrogozhinasit, para se Aliu të shënonte edhe golin e tretë për Egnatia U21, në të 72-tën.

Pak minuta më vonë, në të 79-tën, ka qenë Osmani që ka shënuar edhe golin e dytë për Vllaznia U21, por që nuk ka mjaftuar për asgjë, sepse i gjithë takimi është mbyllur në shifrat 3-2 për Egnatian. Pas kësaj ndeshje, shanset për ekipin shkodran për të fituar titullin kampion janë zvogëluar shumë. Megjithatë janë edhe shumë ndeshje deri në fund të kampionatit dhe nëse ky ekip bën mirë, mund t’ia dalë.

Duhet theksuar se në këtë humbje, kanë ndikuar edhe mungesat e lojtarëve të formacionit si Pusi, Hoxha dhe Muliu, të cilët kanë qenë të pezulluar për shkak të kartonëve të marrë dhe nuk kanë luajtur në këtë ndeshje.
Maringlen ZHIVANI