Vllaznia U-21 do të luajë ditën e sotme në orën 14:00 në kryeqytet ndeshjen e rradhës në kampionat kundër Dinamos, që këtë sezon është një ndër ekipet pretendente në këtë garë. Në fakt, duke qenë se ndeshjet e kampionatit sa vijnë e vështirësohen, trajneri Elvis Plori e shikon ndeshjen e sotme si një provë të vërtetë gjenerale.

Një gjë e tillë mund të thuhet, duke marrë në konsideratë se Dinamo ndodhet një vend më lart se Vllaznia me vetëm një pikë diferencë, pikërisht në vendin e dytë dhe me një fitore të shkodranëve, vendet në renditje do të ndryshoheshin menjëherë.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që Vllaznia U-21 të marrë ndonjë futbollist nga ekipi i parë, pasi bëhet fjalë në fakt për një ndeshje vendimtare për vazhdimësinë e kampionatit.

Kujtojmë këtu se, futbollistët kuqeblu vijnë në këtë sfidë pas fitores së fundit ndaj Tiranës me rezultatin 2-1. Shkodranët do të zbresin në fushën e lojës ditën e sotme me synimin e vetëm për të marrë tre pikët, por nga ana tjetër edhe një pikë mund të konsiderohet pozitive.

Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, trajneri Elvis Plori do t’i ketë të gatshëm të gjithë futbollistët titullarë për këtë ndeshje që konsiderohet relativisht e vështirë për ekipin e drejtuar prej tij.

Gjithsesi, do të jetë fusha e lojës ajo që do të vendosë për rezultatin përfundimtar të kësaj përballje. Ndeshja Dinamo-Vllaznia për grupmoshën U-21 do të luhet ditën e sotme në kryeqytet, duke nisur nga ora 14:00.
Maringlen ZHIVANI