Trajnerit Dejan Vukiçeviç iu dha besim nga presidenti Pashk Laska edhe pas pesë humbjeve radhazi në fazën e parë, mirëpo disfata e fundit në Rrogozhinë nuk u përtyp dot te klubi i Laçit.

Fakti që kundërshtar ishte Shpëtim Duro (trajneri aktual i Egnatias) “dogji” jo pak në kampin bardhezi.

Aktualisht Laçi është vendosur në kërkim të një trajneri të ri dhe “Panorama Sport” zbulon se përveç Ramazan Ndreut, që prej disa javësh është afruar në klub si këshilltar i presidentit Laska, preferencë e drejtuesve është edhe Ardian Mema.

Ky i fundit nuk drejton një skuadër që pas largimit nga Tirana në fund të vitit 2019. Emri i tij ka qarkulluar edhe si një kandidat për Skënderbeun në Kategorinë e Parë, por gjasat janë që të bëhet trajner i ri i Laçit.

Burime jozyrtare në klubin kurbinas tregojnë se trajneri kryeqytetas pëlqehet nga drejtuesit, por ende nuk mund të flitet nëse mes palëve është arritur një akord.

Kjo periudhë pauze e kampionatit po shërben edhe si një reflektim për klubin, në një kohë që rezultatet deri në javën e 12-të kanë zhgënjyer totalisht drejtuesit.

Në kushtet kur Vukiçeviç është një histori e mbyllur dhe nuk do të rikthehet te Laçi, të hënën pritet që skuadra të zbresë në fushë me një trajner të ri.

Çdo gjë tashmë është në dorën e Laskës, që shpeshherë ka bërë surpriza në përzgjedhje. Megjithatë, për momentin emrat më të lakuar në klubin bardhezi janë Ramazan Ndreu dhe Ardian Mema.

SITUATA – Me 14 pikë dhe vendi i shtatë në renditje pas 12 javësh kampionat, Laçi është jashtë objektivave, edhe pse mbeten për t’u luajtur edhe 24 ndeshje.

Interesant është fakti se prej pesë sezonesh radhazi kurbinasit e nisin keq kampionatin, e më pas shpërthejnë në fazën e dytë dhe të tretë.

Duke qenë se grupi i futbollistëve është i kompletuar dhe shumica e tyre kanë pasur probleme fizike në muajt shtator-tetor, shpresat e klubit janë që gjithçka të jetë lënë pas dhe më 11 dhjetor skuadra të rikthehet më e fortë se kurrë në kampionat.