Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së i mbledhur pasditen e sotme, ka vendosur t’ia japë fitoren 3-0 në tavolinë Adës për takimin e fundit, atë që është luajtur dje në Skrapar dhe që është ndërprerë në minutën e 43-të pas dhunës së ushtruar nga vendasit ndaj gjyqtarëve të takimit. Por ndëshkimi për Skraparin nuk është ndalur vetëm me kaq pasi kësaj skuadre, për gjithë këtë dhunë të ushtruar, i janë zbritur edhe tre pikë të tjera në renditje dhe po ashtu, e kanë dënuar atë për të mos luajtur 8 ndeshjet e ardhshme në fushën e saj. Në këtë mënyrë, Ada me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 33 pikëve duke qenë në vendin e tetë të renditjes, me golaverazh më të mirë se Burreli. Ndeshja e ndërprerë në Skrapar ka qenë në rezultatin 1-1 por dhuna e madhe e ushtruar nga futbollistë dhe drejtues të Skraparit ndaj gjyqtarëve ka bërë që takimi të mos vazhdojë dhe velipojakët në këtë mënyrë kanë përfituar duke marrë tre pikët në tavolinë. Drejtuesit velipojakë pasditen e sotme kanë sqaruar çdo gjë që ka ndodhur përmes një deklarate për shtyp, ku përveçse dënojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre, falenderojnë edhe presidentin e ekipit vendas për mbrojtjen që u ka bërë si dhe forcat e rendit sepse pa ndihmën e tyre, pasojat për Adën do kishin qenë më të mëdha.

www.shkodrasport.com