Vllaznia e re nis nga largimi i të huajve. Lojtarët e ardhur gjatë merktos së janarit, por edhe dy prej tyre që kanë qenë pjesë e skuadrës që nga fillimi i sezonit, duket se nuk kanë asnjë shans për të rinovuar kontratën. Projekti i klubit shkodran është për ndërtimin e një Vllaznie kompetitive në sezonin e ardhshëm. Deri më tani, nga kontingjenti aktual kanë rinovuar kontratën edhe për një sezon tjetër lojtarë si Smajli, Gocaj dhe Hajdari. Ndërkohë, nga të huaj është vetëm portieri Mirosllav Vujadinoviç. Nga sa mësohet, drejtuesit e klubit nuk mendojnë për të rinovuar kontratat me lojtarë si Vuk e Moreno, por pa përjashtuar këtu as Bërnoviç e Jablan, të cilët edhe pse po preferohen për të qenë pjesë e formacionit nga tekniku Grima, kanë shanse minimale për të qëndruar. Kontratat e tyre përfundojnë në mesin e muajit maj, teksa është lënë si klauzolë vazhdimi i tyre me Vllazninë, nëse skuadra merr pjesë në Kupat e Evropës. Tashmë klubi është jashtë objektivave dhe menjëherë pas përfundimit të kampionatit të huajt do të largohen.

Mbrojtësit Dy mbrojtësit malazezë të Vllaznisë, Braçan Popoviç dhe Gavrilo Petroviç, të cilët u bënë pjesë e klubit që në fillimin e këtij sezoni, gjithashtu janë drejt largimit. Në fakt, Petroviç thuajse u largua në janar, pasi drejtuesit e kishin jashtë planeve, por moszgjidhja e kontratës me mirëkuptim, bëri që ai të qëndronte. Pas një periudhe jo të shkurtër jashtë skuadrës, Petroviç është rikthyer si titullar në ndeshjet e fundit. Nga ana tjetër, mbrojtësi i majtë, Popoviç, ka qenë më konstanti në aktivizime. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për të bindur plotësisht stafin teknik, pasi në atë pozicion kërkohet një lojtar më efektiv. Gjatë sezonit të kaluar, te Vllaznia luajti Abraham si mbrojtës i majtë, ndërsa Popoviç debutoi për kuqeblutë në ndeshjet e Ligës së Evropës, duke lënë një përshtypje të mirë.

Rinovimet Katër lojtarë nga grupi aktual janë të sigurt se do të jenë pjesë e ekipit në sezonin e ri. Portieri Vujadinoviç, mbrojtësit Smajli e Gocaj, dhe mesfushori Hajdari, kanë fituar besimin e drejtuesve dhe kanë rinovuar kontratat. Gjithashtu, edhe të rinjtë e afirmuar gjatë këtij sezoni kanë kontrata që zgjasin edhe për dy vite të tjera. Drejtuesit e klubit kanë nisur bisedimet me disa nga titullarët, por ende s’ka zyrtarizime.

Admir URUÇI